Real Madridi, dominues absolut me penalltitë në favor, dyfish më shumë se Barcelona në La Liga
Statistika e famshme “penallti për Real Madridin” ka kaluar prej kohësh nga një shprehje ironike në radio apo rrjete sociale, në një realitet të prekshëm numerik. Të dhënat e sezonit aktual të LaLiga-s flasin qartë: skuadra madrilene është ekipi që ka përfituar më shumë penallti në kampionat.
Deri në këtë pikë të sezonit, Real Madridi ka ekzekutuar plot 11 penallti, nga të cilat 9 janë shndërruar në gol dhe 2 janë humbur, ndërsa kundër tij janë akorduar vetëm dy të tilla. Një shifër që bie dukshëm në sy, sidomos kur krahasohet me rivalët direktë. Vetëm Getafe ka më pak penallti kundër, me vetëm një të akorduar ndaj tij.
Në krahun tjetër, Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick dhe Girona kanë përfituar nga gjashtë penallti secila, pra pothuajse gjysmën e asaj që ka pasur në dispozicion Real Madridi. Valencia, Sevilla, Celta dhe Mallorca renditen më pas me nga pesë, ndërsa Elche dhe Getafe kanë marrë vetëm nga një penallti gjatë gjithë sezonit.
Rasti i fundit që ka ndezur polemikat ishte ai në fitoren 2-1 ndaj Rayo Vallecano-s, kur Kylian Mbappé realizoi nga pika e bardhë në minutat shtesë, një penallti që u konsiderua e diskutueshme nga shumë analistë dhe tifozë.
Gjatë sezonit, disa vendime janë cilësuar si të qarta, të tjera si “bujare”, ndërsa disa kanë hapur debate të forta, sidomos në përballjet ndaj Barcelonës, Gironës dhe Rayos. Pavarësisht pranisë së VAR-it dhe profesionalizimit gjithnjë në rritje të arbitrave, diskutimi mbi standardin dhe barazinë e vendimeve vazhdon të mbetet një temë e nxehtë në futbollin spanjoll.