Rilindja rrëmben komisionin për reformën territoriale, Haxhimali: Gjuha e përdorur nga mazhoranca e vrazhdë dhe aspak evropiane

Debati për reformën territoriale është rikthyer në skenën politike, duke sjellë jehonën e procesit të vitit 2015 dhe duke sinjalizuar që në nisje mungesën e një konsensusi të gjerë. Ngritja e komisionit të posaçëm të iniciuar nga mazhoranca dhe ofrimi i një roli dytësor për opozitën, vetëm si nënkryetare dhe jo bashkëkryetarë, shihet si një minë e vendosur në themelet e dialogut.

Analistët vlerësojnë se procesi po nis me riciklimin e ngjarjeve të së shkuarës. Gjuha e përdorur nga mazhoranca u cilësua si “e vrazhdë” dhe aspak europiane, nga eksperti Agron Haxhimali drejtues i Institutit për bashkitë, gjatë një interviste në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi.

Deklarata të tilla si “po erdhën mirë, po s’erdhën akoma më mirë”, tregojnë një mungesë vullneti për të ndërtuar ura komunikimi dhe për të ftuar opozitën në një dialog të barabartë, në vendin që i takon, tha eksperti.

Sipas vëzhguesve, reforma po shtyhet përpara nën një presion të fortë kohor, me një afat vetëm katër mujor, çka e bën edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Qëndrimi i mazhorancës perceptohet si jo plotësisht i sinqertë, veçanërisht duke pasur parasysh se dy vite më parë, e njëjta shumicë e hodhi poshtë një propozim konkret të opozitës për reformë, duke pretenduar se harta ekzistuese territoriale ishte funksionale.

Nga ana tjetër, kritika i drejtohen edhe opozitës, e cila akuzohet se është futur në këtë proces pa një strategji të qartë dhe pa instrumentet e nevojshme për të ndikuar. Pa numrat në parlament dhe pa një plan konkret, opozita rrezikon të përdoret thjesht si një “make-up” për të legjitimuar një proces të kontrolluar tërësisht nga mazhoranca. Pranimi i postit të nënkryetarit do të shihej si një kapitullim dhe si një lëshim që nuk i shërben perspektivës së një reforme gjithëpërfshirëse.

Në këto kushte, sugjerohet që nëse opozita mbetet jashtë procesit vendimmarrës, ajo duhet të ndërmarrë një hap tjetër strategjik. Në vend që të bojkotojë në heshtje, ajo duhet t'u paraqesë qytetarëve një platformë alternative të qartë. Kjo platformë do të shpjegonte arsyet e mospjesëmarrjes në komision dhe, më e rëndësishmja, do të ofronte modelin e saj për organizimin territorial, demokracinë, pjesëmarrjen qytetare dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Kështu, edhe pse e përjashtuar nga parlamenti, opozita do të mbetej një zë aktiv dhe propozues përpara qytetarëve.

Arnold Kariqi: Po rikthehemi tek 2015-ta së pari përpara se të futemi në teknikalitete nga ajo çka ndodhi ditën e sotme. Pamë, në fakt ishte Balla ai që e paralajmëroi pikë së pari, kreu i grupit parlamentar, më pas Mazniku i cili nisi komisionin e posaçëm ditën e sotme dhe është paralajmëruar e nesërmja ku do të bëhen ndryshimet që opozita të ketë nënkryetar dhe jo bashkëkryetar. Sa po e minon kjo konsensusin e kësaj reforme?

Agron Haxhimali: Mendoj që po riciklojmë ngjarje të trashëgueshme, siç ju me të drejtë e përmendët për vitin 2015 për reformën që kemi. Sinjalet ishin të tilla që maxhoranca dhe opozita s'do ishin dakord. Gjuha e maxhorancës shumë e vrazhdë në këtë rast, e kam ndjekur duke thënë, po erdhën mirë, por edhe po s'erdhën akoma më mirë. Nuk është një gjuhë evropiane, nuk është një gjuhë e moderuar. Ato duhet të insistonin me të gjitha mënyrat, të hapnin të gjitha mundësitë dhe shanset, ta ftonin opozitën të ishte në vendin që asaj i takon. Nuk është aspak lajmi i mirë që edhe kjo reformë në një presion dhe trysni kohore shumë të fortë, pasi bëhet fjalë vetëm për katër muaj, të bëhet pa një konsensus të gjerë. Unë kam dy mesazhe në këtë rast. E para, shikoj një maxhorancë jo shumë të sinqertë në bërjen e kësaj reforme dhe dua ta analizoj shkurtimisht. Para dy vitesh, kishte një komision ku maxhoranca dhe opozita diskutuan për këtë situatë. Opozita u tregua shumë e sinqertë për hir të së vërtetës dhe bëri një propozim konkret. Në atë kohë, maxhoranca thoshte s'është e nevojshme, s'kemi nevojë për reformë, organizimi territorial po funksionon mirë, reforma e 2015-ës është funksionale, nuk kemi të nevojshme të bëjmë riorganizime. Çfarë ndodhi në këtë, këto për një vit? Pse u ndryshua? E para.

Dhe e dyta, maxhoranca po të ishte shumë e sinqertë, duhet të propozonte ndryshimet e kësaj reforme, para zgjedhjeve elektorale, por i bëjnë para zgjedhjeve vendore. Nga ana tjetër, jam kritik për opozitën sepse u fut në këtë çështje pa një mendim strategjik të qartë, duke kuptuar që s'kishte as numrat, asnjë lloj mase dhe instrumenti për ta sanksionuar. Do ishte mirë të mos futesh fare, sesa të futesh dhe të dilte në këtë lloj mënyre. Por, ajo që unë them, pavarësisht se ndodhemi në këto situata, nuk është rrugë e mirë që të bëjmë në këtë presion kohor dhe maxhoranca ta bëjë vetëm këtë lloj reforme. Mendoj që mund të ketë mundësi zgjidhje të tjera. Por nga ana tjetër opozita, pavarësisht se e ka lënë vendin bosh, unë nuk e di çfarë do ndodhi nesër, siç ju thoni, do rri, do pranojë të jetë nënkryetar, por ajo opozita...

Arnold Kariqi: Nëse pranon të jetë nënkryetar, pak a shumë është, një mekanizëm që opozita të përdoret si make-up. Pra, që mori pjesë, por gjithçka e bëri maxhoranca.

Agron Haxhimali: Shiko, në mënyrë të padiskutueshme në fakt. Unë prandaj e theksova, pajtohem totalisht me çfarë ju po e ushqeni debatin. Opozita, nëse e kishte dhe ajo shumë seriozisht, në këtë duhet të mbante pozitat që kishte të bashkëkryetarit. Unë nuk e di nëse do pranojë të bëhet nënkryetar, një pozitë më të dobët. Për mendimin tim nuk di ç'të them. Nuk është se në pozitën e nënkryetarit do t'i shërbejë më shumë dhe më mirë të ardhmes, pra perspektivës së kësaj reforme. Opozita e mbështet dhe e shëndoshte reformën duke qenë me peshë të barabartë me palën tjetër. Në këtë situatë gjykoj që opozita, minimalisht duhet t'ju prezantojë qytetarëve një, arsyet pse nuk po shkon. Duhet ta bëjë sa më shpejt.

Dhe e dyta i ka të gjitha energjitë dhe mundësitë të dalë me alternativën t'i thotë, atëherë pavarësisht se ne s'kemi mundësi ta sanksionojmë për arsye të numrave në parlament, por platforma jonë si opozitë për t'ju shërbyer qytetarëve për demokraci, për pjesëmarrje, për shërbime më të shëndetshme në sasi dhe në cilësi, ne ju ofrojmë juve qytetarë këtë model. Për parlamentin nuk ka çfarë të ofrojmë. Ajo që është më e përgjegjshme pastaj, që jemi në një trysni kohore prej katër muajsh dhe nuk di se si do vejë puna. Po dhe të bësh, ta fillosh vetëm me idenë që do shkurtojë numrin e bashkive dhe kjo nuk është, një reformë bazuar mbi shina të shëndosha parimore.

Arnold Kariqi: Pra, në, në sugjerimin tuaj, ju këshilloni Haxhimali që opozita edhe nëse lihet jashtë kësaj reforme, të paktën për qytetarët duhet të prezantojë një platformë, pra si e mendon opozita reformën në hartë territoriale, pavarësisht se e voton apo e merr për bazë maxhoranca.

Agron Haxhimali: Në mënyrë të padiskutueshme, opozita duhet të jetë në lartësinë e saj...