Shefi i diplomacisë franceze: Putini nuk tregon asnjë shenjë vullneti të vërtetë për paqe në Ukrainë

Shefi i diplomacisë franceze, Jean-Noel Barrot, vlerësoi sot se presidenti rus Vladimir Putin nuk tregon shenja të vullnetit të vërtetë për paqe në Ukrainë.

" Vladimir Putin nuk tregon shenja të një dëshire të vërtetë për të ecur drejt paqes. Përkundrazi, për herë të parë javën e kaluar, dronët e tij shënjestruan qëllimisht një tren pasagjerësh, duke vrarë 15 persona", tha Jean-Noel Barot për gazetën e Parisit Liberation.

Baro tha se e konsideron atë sulm një "krim lufte" dhe kësaj i shtohen "përdhunimet, deportimet e fëmijëve, masakrat dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore".

“Katër vjet pasi u nis, është e qartë se i ashtuquajturi operacion special i Kremlinit ka qenë një dështim katastrofik për Rusinë - 1.25 milion vdekje, që është më shumë se të gjitha humbjet njerëzore sovjetike dhe ruse që nga viti 1945, 1,000 vdekje çdo ditë në front dhe një recesion në Rusi i parashikuar për vitin 2026”, shtoi Baro.Ministri francez tha se ishte koha e duhur që Putini të hiqte dorë nga kërkesat e tij dhe më në fund të pranonte një armëpushim.

Baro dënoi përpjekjen e presidentit rus për të “shkaktuar një krizë humanitare” duke vazhduar të shënjestrojë infrastrukturën energjetike pavarësisht temperaturave të ulëta në Ukrainë.

Lidhur me vazhdimin e mundshëm të dialogut me Rusinë, ai tha se Franca nuk e ka përjashtuar kurrë bashkëpunimin me Rusinë, "me transparencë të plotë me Ukrainën dhe partnerët e saj evropianë, dhe me kusht që të jetë i dobishëm".