‘Dy qoka, një protestë’
Protesta më entuziaste e opozitës në këto vitet e fundit ndodhi midis dy ngjarjeve politike që Rama dhe mediat e tij u munduan të na i shisnin si arritjet e tij më të mëdha ndërkombëtare. Ndodhi e tillë sepse populli opozitar, ashtu si edhe shumica e shqiptarëve, minus patronazhistët në administratë dhe media, jo vetëm janë të stërlodhur me të, por e kuptuan që, pavarësisht sforcimit të Ramës për të treguar relevancë ndërkombëtare, edhe ata ndërkombëtarët janë të stërlodhur me të.
Rama shkoi në disa ekstreme që e tradhtojnë të ashtuquajturën mbështetje ndërkombëtare për të:
*Së pari, ai shpiku një ftesë rutinë nga presidenti Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes. Ajo ftesë jo vetëm që nuk ishte për Ramën personalisht, por pas zhurmës njëjavore u kuptua që arritja e tij e vetme ishte që ftesa i kishte ardhur atij dhe jo Bajram Begajt;
*Së dyti, mungesa e tij në ceremoninë e firmosjes jo vetëm që e nxori bllof, por u tregoi shqiptarëve që ai nuk mund të shkelte në të njëjtën sallë me presidentin Trump;
*Së treti, ai e keqpërdori dhe shpërdoroi vizitën private të vajzës së tij për të mbuluar mungesën e tij të madhe. Ndërkohë që Vjosa Osmani ulej krah presidentit amerikan, Rama përpelitej sa në Vlorë, sa në zyrë e sa në parlament, ku fyerjet e tij ndaj çdokujt e tradhtonin. Si për t’i dhënë zemër vetes, po nga salla e parlamentit njoftoi se do të shkonte në Izrael dhe do të fliste në parlament, ku vetëm Donald Trump kishte folur.
Ai vajti në Izrael si një nga dy politikanët pjesëmarrës në konferencën e antisemitizmit. I dyti ishte Milorad Dodik. Askush tjetër. Rama u ftua të fliste në parlament, ndërsa Dodikut iu dha dekorata më e lartë nga parlamenti. Folës në Knesset ka pasur shumë, madje edhe nga vende që nuk i njohim në hartë.
Midis këtyre ngjarjeve ndodhi protesta e opozitës, e cila për nga pjesëmarrja theu pritshmëritë e organizatorëve. Ajo çfarë ndodhi më pas jo vetëm që bëri bujë për nga entuziazmi dhe publiciteti, por edhe sepse për herë të parë u vu re që policia e kishte braktisur Ramën. Reagimi i ekzagjeruar i policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me spec ishte për të mbuluar çorganizimin dhe lëshimin nga ana e policisë.
Bash ky element na çon edhe te arsyeja e veçantë e Ramës për gomarllëqet që bëri përgjatë asaj jave. Vajtia në ekstrem dhe keqpërdorimi për herë të fundit i të ashtuquajturve ndërkombëtarë nuk ishte as për audiencë ndërkombëtare, as për opozitën, as për SPAK-un e as për Gjykatën Kushtetuese. Ajo ishte për të mbajtur radhët e veta me kurajo, sepse edhe me ta po i ndodh si me policinë.
Në përpjekje të sforcuar, ai përsëri kaloi në ekstrem duke “garantuar të vetët që tani nuk i ngacmon më SPAK-u” dhe ndërkombëtarët. Një premisë fallco kjo, e cila që në momentin e parë që të ketë një goditje tjetër nga SPAK-u do të rezultojë fatale për Ramën dhe qeverinë e tij, ashtu siç i ndodhi mazhorancës në marsin e 1997.