Berisha: Dosja Balluku ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e Edi Ramës! Zemërimi i qytetarëve ka përmasa të papërmbajtura

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për media u shpreh se dosja Balluku është në fakt dosja e Edi Ramës dhe ka vetëm një zgjidhje: dorëheqjen e tij.

Ai akuzoi kryeministrin se ka asgjësuar drejtësinë dhe institucionin e akuzës për të mbrojtur veten nga hetimet për korrupsion.
Berisha tha se zemërimi i qytetarëve po arrin përmasa të papërmbajtura dhe se qytetarët po kuptojnë që shpresat tek drejtësia janë shuar.

Sipas tij, Edi Rama është autori dhe arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri dhe e sheh veten si padron të qytetarëve.
Berisha vlerësoi përpjekjet e deputetëve dhe takimet me zgjedhësit, por theksoi se revoltë shpirtërore po lind tek njerëzit e thjeshtë.

FJALA E BERISHËS:

Të nderuar deputetë dhe deputete, të dashur qytetarë dhe qytetare, java fillon në kushtet e një diktature në të cilën de facto Edi Rama ka asgjësuar drejtësinë, ka asgjësuar institucionin e akuzës për faktin e vetëm sepse nga ky institucion, një prokuror guxoi të hetojë dosjen e tij.

Çdo orë, çdo ditë që kalon për çdo shqiptar bëhet e qartë se dosja Balluku është dosja Rama.
Dhe se dosja Balluku ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e Ramës.

Dhe ajo që është pozitive, është se këtë e ka kuptuar çdo shqiptar.
Unë e vlerësoj shumë punën që keni bërë ju me zgjedhësit, përpjekjet tuaja, takimet e rëndësishme dhe përpjekjet serioze, por u garantoj se zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura.

Ka një revoltë të brendshme shpirtërore tek njerëzit e thjeshtë, të cilët e shohin se edhe ajo shpresë që kishin tek drejtësia për ndëshkimin e korrupsionit, u shua.
Ata kuptuan se shkaku, autori, arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri e ka emrin Edi Rama.

Ata kuptuan se njëlloj si në një diktaturë, drejtësia nuk mund t’i afrohet atij.
Qytetarët po e kuptojnë, dhe e kanë kuptuar, se vjedhja e pasurive të tyre dhe fondeve publike për Edi Ramën është një normalitet.
E konsideron veten si padron të tyre.