Hapet thirrja për Çmimin 'Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit' 2026
Fondacioni M&M Ivanaj Instituti ka shpallur hapjen e thirrjes për propozime për Çmimin “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit” 2026, një iniciativë e re që synon të vlerësojë figurën e mësuesit dhe rolin e tij në shoqëri. Çmimi është frymëzuar nga vizioni i Mirash Ivanaj, reformator i arsimit shqiptar, i cili e konceptonte dijen dhe arsimin si themel të një shteti modern dhe të zhvillimit shoqëror.
Përmes këtij çmimi, Fondacioni synon të promovojë vëmendjen dhe mirënjohjen publike ndaj mësuesve, duke dhënë mundësinë nxënësve, ish-nxënësve dhe prindërve të propozojnë dhe të votojnë online për mësuesin që vlerësojnë më shumë si shenjë falënderimi për kontributin e tij.
Periudha e nominimeve do të zhvillohet nga 26 janari deri më 6 shkurt 2026, dhe qytetarët mund të propozojnë mësues aktivë ose në pension që kanë kontribuar në shkollat publike të Bashkisë Tiranë përmes platformës online të Fondacionit: https://ivanaj-foundations.org/sq/mesuesiviti/.
Pas përfundimit të nominimeve, nga 15 deri më 22 shkurt 2026, kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi të dyfishtë vlerësimi, që përfshin votimin publik online dhe vlerësimin profesional nga një juri e pavarur.
Struktura e çmimit është e ndarë në mënyrë të drejtë: 70% e shpërblimit dedikohet drejtpërdrejt mësuesit, si vlerësim për punën e tij, ndërsa 30% e fondit investohet në një projekt edukativ të zhvilluar në bashkëpunim me nxënësit.
Edicioni i parë i Çmimit përqendrohet te arsimi parauniversitar në Tiranë, duke përfshirë arsimin fillor, 9-vjeçar dhe të mesëm. Për secilin nivel do të shpallen fitues të vendit të parë, të dytë dhe të tretë, me qëllim nxjerrjen në pah meritat dhe përkushtimin e mësuesve në çdo hallkë të sistemit arsimor.
Me këtë iniciativë, Fondacioni M&M Ivanaj Instituti synon të forcojë kulturën e vlerësimit dhe të meritës në arsim, duke përcjellë mesazhin se mësuesit janë arkitektët e së ardhmes, dhe investimi te ata është investim te shoqëria dhe brezat e ardhshëm.