Ligji humanitar ndërkombëtar në pikën kritike, mbi 100 mijë civilë të vrarë në 23 konflikte
Një studim i Akademisë së Gjenevës për Ligjin Humanitar Ndërkombëtar dhe të Drejtat e Njeriut ka konstatuar se ligji ndërkombëtar që synon të kufizojë pasojat e luftës është në një “pikë kritike thyerjeje”. Sipas raportit, më shumë se 100 mijë civilë janë vrarë në 23 konflikte të armatosura gjatë 18 muajve të fundit, ndërsa tortura dhe përdhunimet kryhen pothuajse pa ndëshkim.
Studimi dokumenton 18,592 fëmijë të vrarë në Gaza, rritjen e viktimave civile në Ukrainë dhe një “epidemi” dhune seksuale në Republikën Demokratike të Kongos. Konflikti në Gaza rezultoi në një ulje prej 10.6% të popullsisë dhe vrasjen e mijëra grave dhe fëmijëve, ndërsa në Ukrainë numri i civilëve të vrarë në 2025 u rrit me 70% krahasuar me 2023.
Dhuna seksuale është një fenomen i përhapur në pothuajse çdo konflikt. Në Sudan, pas rënies së El Fasher, viktimat raportuan përdhunime në grup nga luftëtarët rebelë, shpesh para familjarëve. Në Kongë, dhuna ka prekur gra dhe fëmijë nga të gjitha moshat.
Autorët e raportit nënvizojnë se, megjithëse çdo shtet duhet të respektojë ligjin humanitar ndërkombëtar sipas Konventave të Gjenevës, në praktikë shumë krime lufte mbeten të pandëshkuara. Ata propozojnë masa si ndalimi i shitjes së armëve në zonat e konfliktit, kufizimin e përdorimit të artilerisë dhe dronëve kundër civilëve, dhe ndjekjen sistematike të krimeve të luftës përmes Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe gjykatave kombëtare.
“Veprimet tona ose mosveprimet do të vendosin nëse ligji humanitar ndërkombëtar do të zhduket krejtësisht”, tha Stuart Casey-Maslen, autori kryesor i studimit.