‘All Star Game’ i NBA-së 2026 vjen me format të ri: SHBA kundër pjesës tjetër të botës

Ndeshja e yjeve të NBA-së këtë vit do të vijë me një format krejtësisht ndryshe, duke sjellë risi dhe më shumë interes për tifozët e basketbollit.

Mbrëmjen e 15 shkurtit, “All Star Game” do të zhvillohet në “Intuit Dome” në Inglewood të Kalifornisë dhe për herë të parë do të përballë njëra-tjetrës një skuadër e përbërë nga lojtarët më të mirë amerikanë kundër një përzgjedhjeje me yjet e kontinenteve të tjera që aktivizohen në NBA.

Ky edicion është i veçantë edhe për faktin se shënon edicionin e 75-të të “All Star Game”, një moment historik për ligën më të fortë të basketbollit në botë.

Një tjetër rekord i rëndësishëm lidhet me LeBron James, i cili është grumbulluar për herë të 22-të radhazi në këtë event prestigjioz, duke u përfshirë si lojtar rezervë i Konferencës së Perëndimit.

NBA ka synuar që këtë vit ta afrojë edhe më shumë publikun me eventin, duke i dhënë tifozëve një rol kyç në përzgjedhjen e formacioneve.

Përmes votimit nga shtëpia, tifozët kanë pasur mundësinë të përcaktojnë pesëshet titullare, ndërsa trajnerët kanë përpiluar listat e rezervave, duke përzgjedhur lojtarët më të dalluar të secilës konferencë.

Ky format i ri pritet të sjellë më shumë rivalitet, intensitet dhe spektakël në parket, ndërsa përballja mes yjeve amerikanë dhe atyre ndërkombëtarë shihet si një reflektim i rritjes së madhe të ndikimit global të NBA-së.

“All Star Game 2026” premton të jetë një nga edicionet më të veçanta në historinë e këtij eventi.