Ministrja e vetme grua në Siri kërkon ndryshim: Nuk jam këtu për fasadë
“Ditën e parë pyeta: ‘Pse nuk ka më shumë gra?’”, thotë Hind Kabawat. Ajo është ministre e çështjeve sociale dhe punës në Siri, e vetmja grua në qeverinë tranzitore, e ngarkuar me detyrën e vështirë për ta udhëhequr vendin nga lufta drejt paqes.
Dhuna sektare, e cila ka vrarë mijëra njerëz, ka njollosur muajt e parë të pushtetit të qeverisë së re siriane, me shumë komunitete minoritare që fajësojnë forcat qeveritare.
Kabawat, dikur udhëheqëse e opozitës në mërgim, pranon se qeveria ka bërë gabime që nga 8 dhjetori 2024, kur forcat rebele të presidentit Ahmed al-Sharaa hynë në kryeqytet, duke i dhënë fund dekadave të diktaturës brutale të familjes Assad. Por ajo këmbëngul: “Gabimet ndodhin në tranzicion.”
Ministrja shton se një nga gabimet më të mëdha të presidentit ka qenë mos-emërimi i grave të tjera në kabinet, megjithëse ai e ka siguruar se do të ketë më shumë. Në kabinetin e tij, të dominuar nga shokë të ngushtë dhe ish-luftëtarë, Kabawat po përballet me një sfidë të madhe.
Në një raport special për BBC Global Women, u pa nga afër se si dosjet e saj mbulojnë shtresat më të brishta të Sirisë: jetimët, vejushat dhe familjet e pikëlluara të dhjetëra mijëra të zhdukurve gjatë regjimit të Assadit. Një tjetër prioritet urgjent është krijimi i vendeve të punës dhe gjetja e strehimit për miliona të zhvendosur gjatë gati 14 viteve luftë civile, si dhe lehtësimi i vuajtjeve të atyre që ikin nga përplasjet e fundit sektare.
Gjithçka është urgjente në një vend të thyer, dhe të varfër. Kombet e Bashkuara thonë se 90% e sirianëve jetojnë nën kufirin e varfërisë.
Në fillim të janarit, Kabawat u nis me urgjencë drejt qytetit verior të Alepos për të vizituar strehimore që mbanin mijëra njerëz pas përleshjeve mes forcave qeveritare dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët.
Verën e kaluar, ajo u përpoq të sillte ndihma në një qytet jugor të banuar kryesisht nga druzi, pas dhunës së përgjakshme mes druzëve, beduinëve dhe forcave qeveritare siriane. Ajo gjithashtu kontaktoi familjen e një gruaje alavite, nga i njëjti sekt shia si familja Assad, e cila akuzoi burra të armatosur me uniforma ushtarake për përdhunim.
Ka ankesa se Kabawat mund të bënte më shumë për të shëruar ndarjet mes komuniteteve të ndryshme siriane. E pyetur nëse qeveria ka bërë gabime në përgjigjen ndaj dhunës sektare, ajo thotë: “Gabimet ndodhin në tranzicion, në periudhën pas konfliktit; askush nuk është i lumtur për këtë, përfshirë presidentin.” Por ajo thekson se është ngritur një hetim dhe “shumë nga ata që kryen krimet janë tashmë në burg.”
Ndërtimi i besimit dhe paqes ka përcaktuar pjesën më të madhe të jetës së saj profesionale. E arsimuar në universitete në Siri, Liban, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, Kabawat është juriste dhe negociatore që luajti rol udhëheqës në opozitën siriane në mërgim gjatë luftës civile.
Mjeti më i fortë në arsenalin e saj është dialogu. “Po merr kohë që njerëzit të thonë ‘të besojmë’ pas 50 vitesh diktaturë,” shpjegon ajo, duke theksuar se besimi duhet të ndërtohet “nga njeriu tek njeriu” si dhe mes qeverisë dhe popullit.
Sharaa vetë, ish-komandant i al-Qaeda-s i kthyer në udhëheqës rebel islamist, ka hequr uniformën ushtarake për një kostum të stilit perëndimor dhe tani paraqitet si pragmatist.
Kabawat thotë se ditën e parë, kur ai shpalli qeverinë e tij në mars të vitit të kaluar, presidenti e siguroi se do të emëroheshin më shumë gra. “Ai tha: ‘Po vjen, jemi në tranzicion’.”
Çdo sugjerim se ajo është thjesht një grua simbolike në radhët e tij, ajo e kundërshton me vendosmëri.
“Nuk jam këtu për fasadë,” deklaron ministrja siriane. “Nuk ndihem se jam e krishterë apo grua kur bëj punën time. Ndihem si një qytetare e Sirisë… Në momentin që filloj të ndihem si një pakicë apo si një grua, do të humbas legjitimitetin tim.”