Incident i rëndë në Serinë A: Portieri i Kremonezes goditet me fishekzjarr nga tifozët e Interit

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Serinë A, ku u godit me fishekzjarr portieri i Kremonezes, Emil Audero, ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv.

Fishekzjarri i lëshuar nga tribuna e ultrasve të Interit shpërtheu pranë këmbëve të portierit, duke i shkaktuar një plagë në kofshë, si edhe probleme të përkohshme në dëgjim.

Pavarësisht dëmtimit, Audero vendosi të qëndronte në fushë, një veprim që rezultoi vendimtar, pasi shmangu rrezikun që zikaltrit të humbnin ndeshjen në tavolinë për shkak të ndërprerjes së saj.

Gjest i pakuptimtë dhe i dënueshëm nga tifozët e Interit, sidomos duke pasur parasysh faktin se Audero, dy vite më parë, kishte qenë pjesë e klubit zikaltër dhe kishte festuar me ta titullin e 20-të kampion në Itali.

Ndërkohë, autoritetet kanë vepruar menjëherë. Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e këtij akti.

Tifozi i Interit kishte tentuar pak çaste më vonë të hidhte një tjetër fishekzjarr, por këtë herë mjeti shpërtheu në dorën e tij, duke i shkaktuar humbjen e tre gishtave.

Si pasojë, ai përfundoi fillimisht në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa më pas u arrestua nga policia, e cila ka nisur procedimin penal për ngjarjen e rëndë që tronditi futbollin italian.