Juventusi mposht Parmën në ‘Tardini’, spikat Bremer me dygolësh

Juventusi ka dhënë një tjetër sinjal force në Serie A, duke triumfuar bindshëm 4-1 ndaj Parmës në stadiumin “Tardini”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të kampionatit. Bardhezinjtë e drejtuar nga Luciano Spalletti ngjiten përkohësisht në vendin e katërt në renditje, duke kaluar Romën dhe duke hyrë në zonën Champions, në pritje të përballjes Udinese–Roma.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga Juventusi, që rrezikoi që në sekondat e para me Conceição-n, por portieri Corvi u tregua vendimtar. Vetëm pak minuta më vonë, portugezi goditi edhe traversën, duke paralajmëruar avantazhin. Goli i parë erdhi në minutën e 15-të, kur Gleison Bremer përfitoi nga një goditje këndi dhe shënoi me kokë për 1-0. Dominimi bardhezi vazhdoi dhe në fundin e pjesës së parë, Weston McKennie dyfishoi shifrat me një gjysmë roveshate spektakolare pas asistit të Pierre Kalulu.

Në pjesën e dytë, Parma tentoi të rikthehej në lojë dhe ia doli të ngushtonte rezultatin në minutën e 51-të, falë një autogoli të pabesueshëm të Andrea Cambiaso-s. Megjithatë, reagimi i Juventusit ishte i menjëhershëm: vetëm tri minuta më vonë, Bremer realizoi golin e tij të dytë personal, duke rikthyer diferencën e dy golave. Në minutën e 64-t, Jonathan David vulosi fitoren 4-1, pasi portieri Corvi gaboi në ndaljen e një goditjeje nga Conceição.

Juventusi administron avantazhin deri në fund dhe feston një fitore të rëndësishme, që e afron edhe më shumë me objektivin Champions. Nga ana tjetër, Parma mbetet në kuotën e 23 pikëve, duke ruajtur një distancë sigurie prej +6 pikësh nga zona e rënies.