Goditje për Real Madridin, Jude Bellingham jashtë rreth një muaj për shkak dëmtimi
Jude Bellingham do të mungojë për rreth një muaj nga fushat e lojës pas një dëmtimi në tendinën e pasme të kofshës, duke i shkaktuar Real Madridit një mungesë të rëndësishme në një moment delikat të sezonit. Mesfushori anglez u dëmtua gjatë ndeshjes kundër Rayo Vallecano-s, ku ndjeu shqetësime në pjesën e pasme të këmbës së majtë që në minutat e para të takimit dhe u detyrua të largohej nga fusha, duke ngritur menjëherë alarmin në kampin madrilen.
Bellingham pritet të qëndrojë jashtë fushave për rreth katër javë. Real Madridi e konfirmoi më pas dëmtimin përmes një komunikate zyrtare, duke bërë të ditur se ekzaminimet e kryera nga stafi mjekësor i klubit kanë diagnostikuar një dëmtim në muskulin semitendinoz të këmbës së majtë. Rikthimi i lojtarit do të varet nga ecuria e rehabilitimit dhe reagimi i tij ndaj trajtimit.
Nëse konfirmohet afati prej një muaji, Bellingham do të humbasë disa ndeshje kyçe për ekipin e Carlo Ancelotti-t, si në kampionat ashtu edhe në garat e tjera, çka përbën një goditje serioze për planet taktike të trajnerit italian. Kjo mungesë vjen në një sezon që ka qenë jo plotësisht i qëndrueshëm për përfaqësuesin anglez, i cili më herët ka pasur probleme edhe me shpatullën.
Stafi i Real Madridit shpreson që rikuperimi i Bellinghamit të ecë pa komplikime, në mënyrë që mesfushori të kthehet sa më shpejt në dispozicion dhe të rifitojë formën e tij më të mirë në fazën vendimtare të sezonit.