Tetova shpërthen pas humbjes ndaj Tiranës: Arbitrim shumë i turpshëm ndaj Egnatias

Pas ndeshjes Egnatia-Tirana, që përfundoi 0-1 në Rrogozhinë, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, nuk i kurseu kritikat për gjykimin. Sipas tij, arbitrimi ka favorizuar bardheblutë, duke u mohuar rrogozhinasve disa penallti të dukshme.

“Ne kemi dominuar lojën, kemi qenë vazhdimisht te porta e Tiranës, por golin e pranuam për një gabim komunikimi. Nuk e di si është marrë ai gol,” tha Tetova. Ai shtoi se kjo është hera e katërt radhazi që ekipi i tij pretendon penallti dhe nuk i jepen. “Duhet të ketë drejtësi për të dyja skuadrat. Nuk mund të ndodhë që çdo prekje e lojtarëve të Tiranës të jetë faull, ndërsa për ne loja vazhdon,” theksoi trajneri.

Tetova u ndal edhe te situatat specifike: përplasja mes Poçit dhe Aleksit, vonesa në mbulim nga Xhemajli, apo shpejtësia e Xhixhës që solli golin. Ai theksoi se Egnatia kishte kontroll gjatë gjithë ndeshjes dhe krijoi raste, por rezultati u vendos nga gabime të arbitrit.

“I vetmi rast i pësuar gol, na vjen keq, por dua drejtësi. Kjo është ndeshja e katërt radhazi që kemi lojën në dorë dhe nuk marrim rezultatin që meritojmë. Penalltia e Grudës ishte e pastër, edhe situata e minutës së 53-të, kur një lojtar i Tiranës shtyu nga mbrapa lojtarin tonë, nuk ndaloi loja,” tha Tetova.

Trajneri i Egnatias e mbylli me ironi duke theksuar se gabime të tilla ‘njerëzore’ po përsëriten dhe është shumë e turpshme që arbitrat nuk po veprojnë drejtësisht për ekipin e tij.