Refuzoi të firmoste emërimin e ministrit ‘nazist’, mijëra çekë protestojnë në mbështetje të Presidentit
Dhjetëra mijëra çekë u mblodhën të dielën në mbështetje të Presidentit Peter Pavel, pasi ai refuzoi të miratonte emërimin e një ministri në qeverinë e re të koalicionit euroskeptik, i cili bëri një përshëndetje naziste dhe postoi suvenire naziste.
Në një përçarje në rritje me qeverinë, Paveli, pro-BE dhe pro-Ukrainë, javën e kaluar akuzoi Ministrin e Jashtëm Petr Macinka se kishte dërguar mesazhe me tekst nëpërmjet këshilltarit të tij, të cilat e kërcënonin presidentin me "pasoja" nëse ai vazhdonte të kundërshtonte emërimin e Filip Turek si ministër çek i mjedisit.
Turek, një anëtar i partisë së krahut të djathtë të Macinkas, është përballur me kritika për përshëndetjen naziste dhe për postimin e suvenireve naziste.
Mbështetësit e presidentit mbushën Sheshin e Qytetit të Vjetër të Pragës dhe Sheshin Wenceslas aty pranë, ndërsa policia mbylli një numër rrugësh në zonë.
Shumë protestues valëvitnin flamuj të BE-së dhe të Çekisë dhe mbanin pankarta ku shkruhej "Ne qëndrojmë me presidentin". Disa shprehën mbështetje për Ukrainën dhe kundërshtim ndaj qeverisë së koalicionit të kryeministrit çek Andrej Babis.
Policia nuk dha asnjë vlerësim zyrtar për madhësinë e protestës, por organizatorët e vlerësuan numrin në 80,000 deri në 90,000 njerëz dhe thanë se planifikonin të mbanin demonstrata të mëtejshme në qytete të tjera në të gjithë Republikën Çeke më 15 shkurt.
Pasi fitoi zgjedhjet e tetorit, partia populiste ANO e Babis, krijoi një koalicion me Motoristët dhe SPD-në e ekstremit të djathtë, pro-ruse.
Paveli emëroi Babisin në dhjetor, por kundërshtoi përfshirjen e Turek në listën e kandidatëve për kabinet dhe më pas bëri publike mesazhet që Macinka dërgoi javën e kaluar, duke i përshkruar ato si shantazh. Ai i ka referuar mesazhet për shqyrtim në Agjencinë Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar.
Macinka ka hedhur poshtë akuzën e presidentit për shantazh lidhur me mesazhet me tekst, duke thënë se të gjitha ishin pjesë e një negociate tipike politike.
Duke komentuar mbi këtë çështje në televizionin çek të dielën, Macinka tha: "Politika nuk është një disiplinë për princeshat... është një disiplinë shumë e kërkuar. Kushdo që është në politikën e lartë, duhet të tregojë më shumë qëndrueshmëri."/ Reuters.