Alcaraz triumfon për herë të parë në Australian Open, bën histori ndaj Djokovic-it

Carlos Alcaraz vazhdon të shkruajë historinë e tenisit botëror. Spanjolli ka fituar për herë të parë Australian Open, duke mposhtur Novak Djokovic-in në finale me rezultatin 2-6, 6-2, 6-3, 7-5 pas 3 orësh e 2 minutash lojë. Me këtë sukses, Alcaraz bëhet lojtari më i ri i të gjitha kohërave që fiton të katër turnetë Grand Slam, në moshën 22 vjeç e 272 ditë.

Finalja nisi në favor të Djokovic-it, i cili shfrytëzoi një start të pasigurt të Alcaraz-it. Serbi dominoi setin e parë falë shërbimit shumë të fortë dhe gabimeve të spanjollit, duke e mbyllur 6-2 pas vetëm 33 minutash. Megjithatë, reagimi i Alcaraz ishte i menjëhershëm dhe imponues. Në setin e dytë, ai rriti ndjeshëm intensitetin, realizoi dy ‘break’-e dhe barazoi ndeshjen me një tjetër 6-2.

Nga ai moment, inercia kaloi qartë në anën e Alcaraz. Në setin e tretë, spanjolli kontrolloi shkëmbimet, lëvizi më mirë dhe e detyroi Djokovic të gabonte, duke fituar 6-3. Seti i katërt ishte më i ekuilibruari, me të dy tenistët që mbajtën shërbimin deri në fund. Djokovic pati edhe një shans për break në 4-4, por disa gabime radhazi i kushtuan shtrenjtë. Alcaraz shfrytëzoi momentin, u shkëput në 6-5 dhe mbylli ndeshjen pa hezitim.

Me këtë triumf, Alcaraz arrin në kuotën e 7 titujve Grand Slam dhe bëhet spanjolli i dytë që fiton Australian Open. Për më tepër, ai forcon ndjeshëm kreun e renditjes ATP, duke u shkëputur nga ndjekësit dhe duke konfirmuar statusin e tij si lider absolut i brezit të ri në tenis.