Real Madridi fiton në minutën e 100-të ndaj Rayo Vallecano-s, Mbappé vendos me penallti

Real Madridi arriti një fitore dramatike 2-1 ndaj Rayo Vallecano-s në “Santiago Bernabéu”, falë një penalltie të Kylian Mbappé-së në minutën e 100-të, duke regjistruar kështu fitoren e gjashtë radhazi në LaLiga dhe duke u afruar vetëm një pikë larg kreut të renditjes.

Ndeshja nisi me tension për “Los Blancos”, të cilët vinin pas zhgënjimit në Ligën e Kampionëve. Situata u përkeqësua herët, pasi Jude Bellingham u detyrua të largohej i dëmtuar dhe me lot në sy. Megjithatë, Real reagoi shpejt dhe kaloi në avantazh në minutën e 15-të me Vinícius Júnior, i cili i dha fund agjërimit në kampionat me një goditje të bukur që u ndal në trekëndësh.

Rayo pati shanse në fillim dhe gradualisht u rrit, por në pjesën e parë nuk arriti të testonte Courtois. Gjithçka ndryshoi në nisje të fraksionit të dytë, kur Jorge de Frutos shënoi golin e barazimit pas një aksioni të shpejtë. Loja u bë e hapur, me raste të pastra nga të dyja palët: Courtois shpëtoi Realin në një kundërsulm, ndërsa Mbappé goditi traversën me portën bosh.

Momenti kyç erdhi me kartonin e kuq për Pathé Ciss, që i dha Realit epërsi numerike. Presioni u rrit dhe, në minutat shtesë, Brahim Díaz u rrëzua në zonë. Nga pika e bardhë, Mbappé tregoi qetësi maksimale dhe firmosi fitoren.

 

Një sukses jetik për Real Madridin, ndërsa Rayo Vallecano mbetet në krizë, vetëm një pikë mbi zonën e rënies dhe me një tjetër karton të kuq në fundin dramatik të sfidës.