Rrëshqitjet e gurëve s'ndalen/ Ndërpritet puna për pastrimin tek 'Kthesa e Dragostunjës'! Shikoni pamjet
Për shkak të rrezikut të lartë janë ndërprerë punimet tek ‘Kthesa e Dragostunjës’ ku masivi shkëmbor ka bllokuar aksin në të dy kahet.
Aksi Librazhd-Qafë Thanë është i bllokuar totalisht nga masivi i shkëmbinjve të mëdhenj që kanë rënë në trase, duke ndërprerë për një afat të pacaktuar, lëvizjen drejt juglindjes dhe anasjelltas.
Gazetarja e Syri Tv, Margarita Mëhilka raporton nga vendngjarja se për shkak të rrezikut të lartë, pasi shembja e gurëve vijon, janë ndaluar punimet e pastrimit të trasesë.
Si fillim puna do të vijojë të punohet sipër shpatit për të rrëzuar pjesën që rrezikon të shembet.
Qarkullimi në aksin Tiranë- Korçë është i bllokuar prej orës 11:00. Qindra makina janë të bllokuar, ndërsa ata që kanë mundur janë kthyer mbrapsht.