Shembja e gurëve tek 'Kthesa e Dragostunjës' bllokon juglindjen - Shikoni trafikun, makinat kthehen mbrapsht

Shembja e gurëve masivë tek ‘Kthesa e Dragostunjës’ ka bllokuar për një afat të pacaktuar totalisht lëvizjen drejt juglindjes. Aksi Librazhd-Qafë Thanë është e vetmja rrugë nacionale për të shkuar drejt Pogradecit, Korçës apo Qafë Thanës e më pas drejt Maqedonisë së Veriut.

Aksi nacional është i bllokuar që prej orës 11:00 të ditës së sotme, ndërkohë që njoftimi për qytetarët që të shmangnin lëvizjen ka qenë shumë i vonuar.  As kompania që po kryen punimet për zgjerimin e rrugës Librazhd–Dragostunjë–Hotolisht, nuk ka ndërhyrë në asnjë moment për pastrimin e rrugës duke lënë qytetarët në mëshirë të fatit.  

Trafiku ka ngecur për kilometra të tërë, ndërsa qytetarët janë lënë pa informacion dhe pa mundësi të kalojnë.

Syri.Tv sjell video të këtij trafikut kilometrik të makinave të cilat ishin nisur drejt juglindjes, apo dhe anasjelltas, nga juglindja në Tiranë pasi nuk dinin asgjë për bllokimin e rrugës në të dyja kahet.

Bllokimi do të jetë në një kohë të pacaktuar dhe makinat nuk kanë asnjë mundësi të kalojnë.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë  për hapjen e rrugës.