Skandali me çmimet e barnave të rimbursueshme, Shehu: Po dëmtohet shëndeti publik, ushqehet korrupsioni
Një skandal ka dalë në dritë lidhur me çmimet e ilaçeve të rimbursueshme, pasi Ministria e Shëndetësisë publikoi listën e re të barnave pikërisht në ditën e shtunë, kur administrata është zyrtarisht në pushim. Çmimet e reja të barnave importuara shënojnë rritje alarmante nga 3% deri në 4000% në krahasim me çmimet e 16 janarit.
Rritje dramatike shënojnë barnat si:
• Cefazolina – antibiotik i prodhuar në Kinë, +4000%
• Metformina – për diabet, +2000%
• Ibrance – medikament onkologjik, +1000%
• PHESGO – trajtim për kancerin e gjirit, +1357%
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe deputeti i PD, Tritan Shehu, i cili në rrjetin e tij social është shprehur se lista e re e çmimeve të barnave synon të mbulojë kolapsin financiar të ISKSh-së duke rritur ndjeshëm praninë e medikamenteve me origjinë jo të sigurt për qytetarët.
"Ulja e çmimeve për barnat patente dhe ato të kompanive serioze, pa negocim dhe pa transparencë, po i largon nga tregu medikamentet e sigurta, të certifikuara nga EMA dhe FDA. Në vend të tyre, qytetarëve po u ofrohen gjithnjë e më shumë medikamente me origjinë të pasigurt, të cilat nuk lejohen të qarkullojnë as në BE dhe as në Kosovë.” - shprehet ai.
Shehu thekson se parametri kryesor i barnave është efektiviteti klinik dhe siguria, të garantuara vetëm nga certifikimet ndërkombëtare. Ai kritikon mënyrën se si po menaxhohet fondi i rimbursimit (rreth 100 milion euro), duke detyruar qytetarët të paguajnë rreth 60% nga xhepi, krahasuar me rreth 10% në BE.
Deputeti paralajmëron se politika e re “dëmton shëndetin publik, ushqen korrupsionin” dhe kërkon llogari nga Ministria e Shëndetësisë për mënyrën e vendosjes së çmimeve dhe kompanitë që përfitojnë nga ky ndryshim.
Postimi i plotë:
Lista e re e çmimeve të barnave synon të mbulojë kolapsin financiar të ISKSh-së duke rritur ndjeshëm praninë e medikamenteve me origjinë jo të sigurt për qytetarët.
Ulja e çmimeve për barnat patente dhe ato të kompanive serioze, pa negocim dhe pa transparencë, po i largon nga tregu medikamentet e sigurta, të certifikuara nga EMA dhe FDA, që qarkullojnë në vendet e BE-së.
Në vend të tyre, qytetarëve po u ofrohen gjithnjë e më shumë medikamente me origjinë të pasigurt, pa certifikime ndërkombëtare, të cilat nuk lejohen të qarkullojnë as në BE dhe as në Kosovë.
Medikamentet nuk janë mallra të zakonshme. Parametri kryesor i tyre është efektiviteti klinik dhe siguria, të garantuara vetëm përmes certifikimeve ndërkombëtare, për Europën nga EMA.
Kolapsi financiar i ISKSh-së nuk mund të korrigjohet duke rrënuar më tej sigurinë medikamentoze dhe duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Sot fondi i rimbursimit mbetet rreth 100 milion euro, duke detyruar qytetarët të paguajnë rreth 60% nga xhepi, ndërkohë që në BE kjo barrë është rreth 10%.
Amendamentet qe paraqita për rritjen e buxhetit të shëndetësisë dhe rikthimin e detyrimit ligjor për certifikim EMA/FDA u rrëzuan, duke shtuar zbrazjen e listës së rimbursimit nga barnat e sigurta dhe mbushjen e saj me “fake drugs”, te importit e prodhimit vendas.
Kjo politikë dëmton shëndetin publik, ushqen korrupsionin.