SpaceX i Musk aplikon për të lëshuar një milion satelitë në orbitë
SpaceX e Elon Musk ka aplikuar për të lëshuar deri në një milion satelitë në orbitën e Tokës për të fuqizuar inteligjencën artificiale (IA).
Në aplikimin e saj, kompania pretendon se “qendrat orbitale të të dhënave” janë mënyra më ekonomike dhe më efikase nga ana energjetike për të përmbushur kërkesën në rritje për fuqi kompjuterike të inteligjencës artificiale.
Tradicionalisht, qendrat e të dhënave janë objekte të mëdha të mbushura me kompjuterë të fuqishëm që përpunojnë dhe ruajnë të dhëna. Firma hapësinore e Musk pretendon se nevojat e përpunimit, për shkak të përdorimit gjithnjë e në rritje të inteligjencës artificiale, tashmë po i tejkalojnë “aftësitë tokësore”.
Një nismë e tillë do ta rriste në mënyrë drastike numrin e satelitëve të SpaceX në orbitë. Rrjeti ekzistues Starlink, me gati 10,000 satelitë, është akuzuar tashmë për krijimin e mbingarkesës në hapësirë, akuza që Musk i ka mohuar.
Sipas kërkesës së paraqitur të premten në Komisionin Federal të Komunikimeve të SHBA-së (FCC), rrjeti i ri mund të përfshijë deri në një milion satelitë me energji diellore, pa u specifikuar një afat kohor për realizimin e planit.
SpaceX pretendon se sistemi do të ofrojë kapacitetin kompjuterik të nevojshëm për t’u shërbyer “miliarda përdoruesve në nivel global”.
Gjithashtu thuhet se kjo do të ishte një hap i parë drejt “krijimit të një qytetërimi të nivelit Kardashev II – një qytetërim që mund të shfrytëzojë fuqinë e plotë të Diellit”, duke iu referuar shkallës së shoqërive hipotetike aliene të propozuar nga një astronom në vitet 1960.
Musk shkroi në rrjetin social X: “Satelitët në fakt do të jenë aq larg njëri-tjetrit sa do të jetë e vështirë të shihen nga njëri te tjetri. Hapësira është aq e gjerë sa është përtej të kuptuarit.”
Ashtu si satelitët Starlink, të cilët ofrojnë internet me shpejtësi të lartë, edhe këta satelitë do të operojnë në orbitën e ulët të Tokës, në lartësi që variojnë nga 500 deri në 2,000 kilometra.
SpaceX pretendon se “qendrat orbitale të të dhënave” – një koncept që po eksplorohet edhe nga kompani të tjera – do të ishin një alternativë më e gjelbër ndaj qendrave tradicionale të të dhënave, të cilat kërkojnë sasi të mëdha energjie për funksionim dhe ujë për ftohje.
Megjithatë, ekspertë kanë paralajmëruar se lëshimi i pajisjeve në orbitë mbetet i kushtueshëm dhe se infrastruktura për t’i mbrojtur, ftohur dhe furnizuar me energji është komplekse. Ata theksojnë gjithashtu se rritja e mbetjeve hapësinore paraqet rrezik për pajisjet fizike.
Një tjetër shqetësim lidhet me rritjen e numrit të objekteve në orbitën e ulët, e cila shton mundësinë e përplasjeve që mund të dëmtojnë pajisjet ose të kthejnë materiale në Tokë.
Ndërkohë, astronomët u ankuan në vitin 2024 se valët radio nga rrjeti Starlink po i “verbonin” teleskopët e tyre dhe po pengonin kërkimet shkencore.
Musk ka hedhur më parë poshtë pretendimet se satelitët e tij po zinin shumë hapësirë dhe po pengonin konkurrencën./BBC