Gurë masivë bllokojnë aksin nacional tek ‘Kthesa e Dragostunjës’, paralizohet lëvizja drejt juglindjes! Makinat në pritje mbi 1 orë
Një rrëshqitje masive dheu dhe gurësh ka ndodhur në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, në vendin e quajtur Kthesa e Dragostunjës, duke bllokuar plotësisht qarkullimin e automjeteve në të dyja drejtimet.
Si pasojë e rënies së masivit nga mali, segmenti rrugor është bërë i pakalueshëm, ndërsa mjetet janë detyruar të ndalojnë, duke krijuar radhë dhe vështirësi në lëvizje.
Ndërkohë, Policia Rrugore e Elbasanit u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në këtë segment, si dhe udhëtimet në drejtim të Korçës dhe anasjelltas, deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
Korrespondentja e Syri TV, Margarita Mëhillka në një lidhje të drejtëpërdrejtë për edicionion e lajmeve u shpreh se situata në terren paraqitet alarmante, me radhë të gjata automjetesh të mbetura të bllokuara për më shumë se një orë. Drejtuesit e mjeteve shprehen të irrituar, ndërsa forca të shumta të policisë rrugore kanë mbërritur në vendngjarje për të menaxhuar situatën. Për shkak të bllokimit total, e vetmja mundësi për drejtuesit e mjeteve është kthimi mbrapsht.
Dëmet materiale janë të mëdha dhe rikthimi në normalitet pritet të kërkojë kohë, duke pasur parasysh përmasat e shembjes.
Ky aks rrugor është i vetmi që lidh qendrën e vendit me qytete si Pogradeci, Korça, si dhe me pikën kufitare të Qafë Thanës, duke e bërë bllokimin e tij një problem madhor për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Ndërkohë Mëhillka shprehet se janë ngritur dyshime paraprake se shkaktare për rrëshqitjen mund të jetë një kompani private që po kryente punime për zgjerimin e rrugës në këtë segment. Sipas burimeve, kompania në fjalë nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim për pastrimin e aksit. Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin lëvizjen në këtë aks deri në një njoftim të dytë, pasi e gjithë zona e juglindjes është praktikisht e izoluar nga ky bllokim.
Korrespondentja e Syri TV:
Aksi nacional Librazhd-Prrenjas në kthesat e Dragostunjës është i bllokuar që prej orës 11:00 të ditës së sotme dhe kjo për shkak të rrëzimit të gurëve masivë në këtë aks që kanë bllokuar të gjithë aksit, pra të dyja krahët e rrugës, ndërkohë që shumë automjete kanë mbetur në radhë pikërisht në këtë aks.
Edhe pse bllokimi i rrugës është bërë që në orën 11:00, njoftimi ka ardhur tepër vonë, le të themi një orë pas pas ngjarjes, teksa drejtues të shumtë të automjetesh janë të irrituar, duke qenë se kanë mbetur për më shumë se një orë të bllokuar pikërisht në atë aks.
Situata paraqitet alarmante pasi masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar plotësisht segmentin rrugor duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të cilët kanë qenë aktualisht duke kaluar pikërisht në atë zonë.
Në terren kanë dalë forca të shtuara të policisë rrugore, të cilat janë duke monitoruar situatën dhe përpiqen të menaxhojnë trafikun, megjithëse të dyja krahët e aksit janë të bllokuara paraprakisht.
Hapja e rrugës kërkon kohë, duke qenë se shkëmbinjtë masiv kanë pushtuar të gjithë aksin, dhe madhësia e tyre është mjaft e konsiderueshme.
Kompania që po kryen punimet për zgjerimin e rrugës Librazhd-Dragostunjë dhe më tej nuk ka ndërmarrë asnjë veprim minimal për pastrimin e rrugës deri në këto momente dhe rikthimin në qarkullimit.
Kjo është rruga e vetme, në të cilën kalimi mund të bëhet nga pjesa e Elbasanit në drejtim të Korçës apo dhe të Maqedonisë. Ndërkohë që nuk ka rrugë të tjera alternative pikërisht pranë kthesës së Dragostunjës, duke qenë se është vetëm një aks nacional pikërisht në atë zonë dhe nuk ka kthesa të tjera alternative.
Ndërkohë që dua të them se nuk është kjo hera e parë që ky aks bllokohet, por herët e mëparshme kanë qenë gurë masiv, por jo të këtyre përmasave që kanë bllokuar aksin.
Ndërkohë që ditën e diel, kur shumë pushues zgjedhin të shkojnë drejt Korçës apo destinacioneve të tjera të juglindjes. Nuk dihet ende se kur do të bëhet zhbllokimi i tij. Të paktën i një krahu, duke qenë se janë të dyja krahët e aksit të bllokuara.