Zjarri i shkrumboi shtëpinë, familjarët: Na u dogj gjithçka, nuk kemi mundësi ta rindërtojmë
Detaje të reja dalin nga zjarri që përfshiu një banesë në fshatin Zvezdë të bashkisë Maliq, ku një familje me vështirësi ekonomike mbeti pa strehë. Flakët kanë shkatërruar plotësisht katin e dytë të banesës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Djali i familjes Saliu, tregon se zjarri ka shpërthyer në katin e dytë, ndërkohë që asnjë pajisje elektrike nuk ishte e ndezur:
“Isha në gjumë, ndërsa prindërit ishin në kuzhinë. Zjarri nisi lart, në katin e dytë. Nuk kishim asgjë të ndezur. Kati i dytë u dogj komplet. Jemi 7 pjesëtarë, por në momentin e zjarrit ishim 4 në shtëpi. Nuk kemi mundësi ta rindërtojmë, na u dogj gjithçka. Kërkojmë ndihmën e shtetit”, ka thënë ai.
Edhe vëllai i kryefamiljarit shprehet se banesa dyshohet të jetë përfshirë nga flakët për shkak të një defekti elektrik:
“Më thanë që u dogj shtëpia, dyshohet nga korenti. Shtëpia ishte e kompletuar, kanë punuar gjashtë muaj vetëm për ta ndërtuar. Nuk kanë mundësi ta rindërtojnë. Janë familje pa të ardhura, shkojnë vetëm disa muaj në fshatin Argos për të punuar e për të siguruar diçka për shtëpinë. Tani nuk kanë asgjë. Kërkojmë ndihmë nga bashkia e Maliqit, qoftë ushqime apo rroba”.
Familjarët apelojnë për ndihmë nga institucionet vendore dhe shtetërore, pasi familja ka mbetur pa asnjë mjet jetese dhe pa mundësi për të rindërtuar banesën e djegur.