Përleshjet e dhunshme/ 29 policë të plagosur në Torino, Meloni viziton të lënduarit dhe paralajmëron masa të reja sigurie

Nga Alba Kepi

Janë 29 pjesëtarë të forcave të rendit që dje u dërguan në spitale të ndryshme të Torinos pasi mbetën të plagosur gjatë përplasjeve me protestuesit. 

Paraditen e sotme, kryeministrja Giorgia Meloni vizitoi spitalin Molinette, ku janë të shtruar një agjent 29-vjeçar i repartit policor të Padovës, i cili u sulmua gjatë shërbimit, si edhe një tjetër pjesëtar i forcave të rendit. 

“Nesër në mëngjes kam thirrur një mbledhje për të diskutuar kërcënimet ndaj rendit publik të këtyre ditëve dhe për të vlerësuar normat e reja të dekretit të sigurisë. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të rivendosur rregullat në këtë vend”, deklaroi Meloni, duke shprehur, në emër të Italisë, solidaritetin ndaj dy prej agjentëve të plagosur në përplasjet e djeshme”.

Gjithashtu ka reaguar edhe lideri i Legës dhe zv/kryeministri Matteo Salvini, i cili deklaroi: “Përplasjet shumë të rënda në Torino imponojnë disa zgjedhje: zero tolerancë ndaj dhunës, miratim të menjëhershëm të paketës së re të sigurisë që parashikon më shumë mbrojtje për Forcat e Rendit dhe, mbi të gjitha, detyrimin e një garancie financiare për ata që dalin në sheshe, siç ka propozuar Lega. Të protestosh është e ligjshme, të shkatërrosh qytetet dhe të rrahësh policët jo!”

Edhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh me tone të ashpra: “Nuk janë protestues, janë guerilë, banda të armatosura që synojnë të godasin Shtetin dhe ata që i shërbejnë atij. Jo një qeveri, por vetë Shtetin,” shkroi ai në platformën X. “T’i mbështesësh, t’i justifikosh apo të minimizosh atë që bëjnë është, sipas meje, e papranueshme. Duhet të luftohen ashtu siç u luftuan Brigadat e Kuqe, dhe jo të trajtohen si ‘shokë që gabojnë’. Përballë këtyre fakteve, duhet të jemi të gjithë të bashkuar, siç ishin forcat politike në vitet e terrorizmit. Nuk është në lojë një palë politike, por Republika Italiane.”

Crosetto përshkroi edhe nivelin e organizimit të dhunës: “Mbi 1.000 persona, të organizuar në mënyrë ushtarake, me strategji të guerilës urbane, të ndarë në dy blloqe të mëdha. Bomba artizanale të mbushura me gozhdë, molotovë, pajisje për bllokimin e komunikimeve të forcave të rendit, shufra hekuri, mburoja, maska, syze mbrojtëse, maska kundërgaz, helmeta dhe madje katapulta për hedhjen e gurëve të mëdhenj.”

Ministri bëri të ditur se ka zhvilluar edhe “një vizitë të shkurtër në Komandën Provinciale të Karabinierëve në Torino”, ku u takua me disa prej efektivëve të përfshirë në aktet e dhunës.