Intervista/ Meta: Gënjeshtrat e prokurorëve që më revoltuan në gjyq, do të çmontoj gjithçka në themel

Gënjeshtrat e prokurorëve që më revoltuan në gjyq, do të çmontoj gjithçka në themel thotë Meta në një intervistë ekskluzive për portalin “Syri. net”

(PJESA E PARË)

Z. Meta, të premten Apeli i GJKKO, ju la përsëri në paraburgim. Ndërkohë ju akuzuat prokurorët për gënjeshtra të paraqitura në Gjykatë. A mund të jeni më konkret?


Gënjeshtra e parë ishte se kur është bërë marrëveshja e CEZ-DIA, unë kisha qenë Ministër i Ekonomisë.
Dihet botërisht dhe nga gjykatat shqiptare, por edhe Arbitrazhi i Vjenës, se kjo marrëveshje (CEZ-DIA), është firmosur në 1 Shtator 2010, ndërsa unë kam filluar si Ministër i Ekonomisë pas 16 Shtatorit 2010, kur është miratuar dekreti i Presidentit në Parlament.
Gënjeshtra e dytë është se asgjë nuk ka ndryshuar për të lehtësuar pozitën time nga momenti i arrestimit (rrëmbimit).

Akuza më “e rëndë” për lobimet për mua atëherë ishte lobimi me McKeon Group dhe pagimi i 1 milion dollarëve gjoja për një foto të pabërë me Presidentin Tramp.

Për herë të parë, ky mashtrim u publikua të revista sorosiste “Mother Jones” për t’u sponsorizuar me paratë e inceneratorëve, deri edhe te gazeta më e madhe bulevardeske në Austri.

Vetë prokurorët u tërhoqën nga kjo akuzë pas zgjedhjeve të 11 Majit, pasi autoritetet gjyqësore amerikane vërtetuan se LSI kishte paguar vetëm 15 mijë dollarë për McKeon Group. Aq sa ishin deklaruar që në Janar 2017.
Ky në fakt është edhe i vetmi episod në lobime, ku unë kam qenë “i përfshirë” ose në dijeni drejtpërdrejt.
Gënjeshtra e tretë dhe më skandaloze, që më detyroi të shkoja vetë në gjykatë të premten, ishte se prokurorët kishin fabrikuar një pretendim skandaloz prove të re, të datës 24 Maj 2024, pra 5 muaj para rrëmbimit tim.

Kjo “provë” ishte një kontratë huamarrje midis dy zonjave, të cilën unë e pashë për herë të parë para pak ditësh se ma sollën avokatët.
Nuk po e bëjmë publik këtë akt se nuk duam të shkelim ligjin pa përfunduar seanca paraprake.

Por bëhet fjalë për huamarrje midis dy zonjave që janë shumë të afërta me njëra-tjetrën, për shumën 220 mijë euro.
Njëra prej zonjave është biznesmene prej 30 vitesh dhe ka qarkulluar miliona euro.
Zonja tjetër është ish-vjehrra ime, e cila zotëron gati 6 mijë m2 apartamente, dyqane e garazhde në një pallat të njohur në Tiranë, të ndërtuar në tokën e ish-bashkëshortit të saj dhe të firmosur nga Edi Rama.
Vetëm një apartament i saj kushton kaq, nga gati 20 apartamente që ajo zotëron (pa dyqanet e garazhdet).
Po kështu, që nga fillimi i Prillit 2024, unë nuk kam patur asnjë kontakt as me ish-vjehrrën, ish-bashkëshorten dhe as me zonjën tjetër jo e jo.

Në fillim të Prillit 2024, u vendosa përkohësisht në një hotel pranë Liqenit të Thatë, deri sa gjeta atje një apartament me qera.
I theksova këto për të treguar se deri ku shkon verbëria politike e prokurorëve për të justifikuar paraburgimin tim të paligjshëm edhe pas 15 muajve.

Një gënjeshtër tjetër është se gjoja kanë “prova” të reja për pagesa të parregullta të bëra ndaj GSIS për llogari të LSI-së.
Duhet të sqaroj se edhe pse marrëveshjen me GSIS e ka firmosur Z. Vasili, unë i dal për zot për çdo gërmë e presje, deri në ditën që kam qenë Kryetar i LSI-së (Prill 2017).

Por nuk mund të mbaj përgjegjësi pas kësaj periudhe e deri në 2019-ën për çdo lloj pagese të bërë nga LSI për lobimet.
Theksoj se letërporositë e dërguara nga prokurorët në SHBA, kanë patur qëllim mbulimin e të vërtetave e jo zbardhjen e tyre.
Kontrata midis LSI-së dhe GSIS është aq e mirëpërcaktuar, sa mund të evidentojë dhe zbulojë cilëndo palë (ose individ) që e ka shkelur atë, e po kështu edhe ligjin amerikan apo shqiptar.

Mjafton t’ju japim vetëm një detaj për të kuptuar bllofin e prokurorëve.
Ata nuk tregojnë se kur ka përfunduar kjo kontratë, sipas vetë parashikimit në kontratë.
Cila palë e ka bërë njoftimin dhe cili person nga LSI e ka bërë njoftimin apo e ka pritur (marrë) atë nga GSIS?
Apo mos vallë kjo kontratë vazhdon edhe tani që unë jam në burg?
Së dyti, në kontratë bëhet e qartë se për çdo shpenzim mbi 1 mijë dollarë që do bënte GSIS për llogari të LSI-së, duhej të merrte paraprakisht miratimin me shkrim nga LSI, sepse për ndryshe ky shpenzim nuk do t’i paguhej.
Atëherë lind pyetja, si mund të paguheshin 270 mijë dollarë pa miratimin e dikujt nga LSI?
Nëse kjo kompani amerikane mund të ketë bërë ndonjë operacion të paligjshëm me ndonjë subjekt tjetër, është përgjegjësi e saj para ligjeve amerikane.

Nëse në këto veprime të paligjshme është përfshirë dikush nga LSI, duhet të ndëshkohet në mënyrën më të rreptë, këtu dhe në SHBA.
Por në mënyrën më absolute, Ilir Meta, kurrë as ka bërë dhe as ka patur dijeni për ndonjë veprim të paligjshëm apo jo korrekt nga dikush.
Nëse unë kam bërë shkeljen më të vogël të kontratës dhe ligjeve amerikane, jam gati që sot, të ekstradohem në SHBA.
Palacollëku i fletërrufesë për lobimet, arrin deri aty sa të përmendë disa herë Ndihmës-Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Ambasadorin William Brownfild, me të cilin jam takuar disa herë vetëm për Reformën në Drejtësi.

Ky personalitet i nderuar, ishte zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit që mbulonte çështjet e Drejtësisë (OPDAT), si dhe luftën kundër drogës.

Ai ishte mbështetësi më i fortë dhe i vërtetë në Departamentin e Shtetit për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe mbi të gjitha me konsensus të plotë dhe jo me përçarje dhe blerje të opozitës.
Fatmirësisht një nga zëvendësit e tij në atë periudhë në Departament, ishte Ambasadori Arvizu, që e njihte shumë mirë politikën shqiptare, por edhe intrigat e saj.
Kështu që këto takime nuk kishin nevojë për lobim.
Por ekzistojnë faqe të tëra me takime të tilla që nuk kanë lidhje me lobimet.
Qëllimi i lobimit me GSIS ishte angazhimi i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, për të ndjekur ecurinë konkrete të Reformës në Drejtësi, në mënyrë që përfaqësues të SHBA në Tiranë të mos e keqpërdornin këtë Reformë në kundërshtim me vet interesat afatgjata të SHBA-ve.
Unë nuk vuaj nga komplekset e “Gruas së Bilalit”, që për një foto bën marrëzira dhe fut njerëz në burg.
Që në moshën 30-vjeçare, Presidentët Klinton dhe Bush, më kanë takuar dhe nderuar.
Jam shumë i ri, por me shumë përvojë për të mos bërë gabime fëmijërore.
Gjykimi në themel do të çmontojë të gjitha mashtrimet e prokurorëve për mua, lidhur me lobimet dhe gjithçka.