Deri në 6 mijë vota të shtuara për një individ/ Nisin hetimet për manipulim votash edhe në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit nga komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Sipas njoftimit zyrtar, intervistat po zhvillohen për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit të votave gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Autoritetet kanë theksuar se veprimet hetimore synojnë mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Rinumërimi i votave është kryer pas dyshimeve për manipulime në votat e kandidatëve për deputetë. Gjatë këtij procesi, është konstatuar se votat për disa kandidatë kanë ndryshuar, në disa raste deri në 6 mijë vota për një individ, ndërsa votat për partitë politike kanë mbetur të pandryshuara.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë bërë të ditur se deri më tani janë intervistuar qindra persona, janë ndaluar dhjetëra të tjerë dhe hetimet po vazhdojnë.

Përveç rasteve në Prizren dhe Malishevë, hetime lidhur me dyshime për manipulim të procesit zgjedhor po zhvillohen edhe në Ferizaj, Pejë dhe Drenas.