Erion Veliaj mbetet në burg! GJKKO i refuzon edhe garancinë pasurore në këmbim të lirimit
Kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në burg.
Gjyqtarja e GJKKO-së Etleva Deda nuk pranoi sot kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, me një masë më të butë sigurie.
Gjatë seancës gjyqtarja refuzoi edhe garancinë pasurore për të liruar Erion Velinë i marrë i pandehur për korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre, pastrim parash, fshehje apo mosdeklarim pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në paraburgim.
Në fund të seancës avokati i tij, Sokrat Gjermeni, tha se GJKKO nuk pranoi as ofertën e garancisë pasurore por nuk dha shifrën sesa kishin ofruar për ta liruar.
'U kërkuan disa masa. Detyrim paraqitjes pesë herë në javë, garancia pasurore, ndalimi i daljes jashtë shtetit, pra të gjitha masat që janë të përshtatshme për të, për të mbarëvajtur pra hetimin që personi mos të largohet, megjithëse këto rreziqe janë iluzionare, pra nuk, këto nuk ekzistojnë, por në sy gjykata nuk mendon kështu.
Gazetari: Sa ishte garancia pasurore që afruat?
Avokati Sokrat Gjermeni: Nuk e kemi ofruar me shumë të përcaktuar, e kemi lënë në vlerësim të gjykatës. Po duke qenë se u rrëzua kërkesa, nuk u shqyrtua fare kjo, ky opsion pra.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi dyshohet për përfshirje në korrupsion dhe pastrim parash, nëpërmjet një rrjeti kompanish dhe OJF-ësh të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Që prej asaj dite Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit nën masën e sigurisë 'arrest me burg'.
Aktualisht çështja ndaj tij ndodhet në fazën e seancës paraprake, ku kanë mbetur pa parashtruar argumentet e tyre, vetëm Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Pas ezaurimit të kësaj faze, gjykata do vendos nëse e kalon për gjykim, e kthen pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.