Hakmarrja e Iranit/ Shpall 'organizata terroriste' ushtritë e BE-së! Stërvitje ushtarake në Ngushticën e Hormuzit

Kryetari i Parlamentit të Iranit deklaroi të dielën se Republika Islamike tashmë i konsideron të gjitha ushtritë e Bashkimit Europian si organizata terroriste, duke reaguar ashpër pasi BE-ja e shpalli Gardën Revolucionare paraushtarake të Iranit si organizatë terroriste, për shkak të shtypjes së përgjakshme të protestave mbarëkombëtare.

Njoftimi u bë nga Mohammad Bagher Qalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare. Ky vendim pritet të ketë kryesisht karakter simbolik, pasi Irani ka përdorur edhe më parë një ligj të vitit 2019 për të shpallur në mënyrë reciproke ushtritë e vendeve të tjera si terroriste, pasi Shtetet e Bashkuara e futën Gardën Revolucionare në listën e organizatave terroriste po atë vit.

Megjithatë, deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, teksa presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Iranit.

Ndërkohë, Republika Islamike ka planifikuar për të dielën (sot) dhe të hënën stërvitje ushtarake me municion real në Ngushticën strategjike të Hormuzit, hyrja e ngushtë e Gjirit Persik, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës që tregtohet në nivel global.

Mohammad Bagher Qalibaf bëri njoftimin në parlament ku ai dhe deputetë të tjerë mbanin uniforma të Gardës Revolucionare, në shenjë mbështetjeje për këtë forcë. Garda, e cila kontrollon gjithashtu arsenalin balistik të raketave të Iranit dhe ka interesa të gjera ekonomike në vend, i përgjigjet vetëm Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç.

“Duke u përpjekur të godasin Gardën, e cila ka qenë barriera më e madhe kundër përhapjes së terrorizmit drejt Europës, europianët në fakt i kanë bërë keq vetes dhe, edhe një herë, përmes bindjes së verbër ndaj amerikanëve, kanë vepruar kundër interesave të popujve të tyre,” deklaroi Qalibaf.

Më vonë gjatë seancës parlamentare, deputetët brohoritën: “Vdekje Amerikës!” dhe “Vdekje Izraelit!”.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka vendosur dy vija të kuqe për ndërhyrje ushtarake: vrasjen e protestuesve paqësorë ose ekzekutime masive të mundshme të personave të ndaluar gjatë një goditjeje të gjerë ndaj protestave.

Trump ka nisur gjithashtu të flasë gjithnjë e më shpesh për programin bërthamor të Iranit, për të cilin SHBA-ja kishte zhvilluar disa raunde negociatash me Teheranin, përpara se Izraeli të niste një luftë 12-ditore kundër Iranit në muajin qershor.

Shtetet e Bashkuara bombarduan tre objekte bërthamore iraniane gjatë luftës. Aktiviteti i vërejtur në dy prej këtyre objekteve sugjeron se Irani mund të jetë duke u përpjekur të pengojë vëzhgimin nga satelitët, teksa tenton të shpëtojë atë që ka mbetur prej tyre.

Donald Trump, mbrëmjen e së shtunës, refuzoi të thotë nëse ka marrë një vendim për mënyrën se si do të veprojë ndaj Iranit.

Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit drejt Floridës, Trump shmangu një pyetje nëse Teherani do të inkurajohej në rast se SHBA-ja tërhiqej nga goditjet ushtarake ndaj Iranit, duke u shprehur:

“Disa njerëz mendojnë kështu. Disa të tjerë jo.”

Trump deklaroi se Irani duhet të negociojë një marrëveshje “të kënaqshme” për të parandaluar që vendi i Lindjes së Mesme të sigurojë armë bërthamore, por shtoi:
“Nuk e di nëse do ta bëjnë. Por ata po flasin me ne. Po flasin seriozisht me ne.”

Nga ana tjetër, Ali Larijani, një zyrtar i lartë i sigurisë në Iran, shkroi vonë të shtunën në platformën X se “po ecin përpara rregullimet strukturore për negociata”. Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë publike për bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, diçka që Ajatollah Ali Khamenei e ka përjashtuar vazhdimisht. /AP/