Sot në GJKKO kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, Erion Veliaj lë qelinë për disa orë

Erion Veliaj la sot qelinë të paktën për disa orë, për tu paraqitur Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, u rikthye para togave të zeza rreth një vit pas arrestimit (10 shkurt 2025), për të dëgjuar gjyqtare Etleva Deda nëse ajo i pranon ose jo kërkesën për ndryshim mase.

Gazetari i Syri.Tv, Klajdi Bodlli informoi se Veliaj mbërriti në GJKKO në orën 8 i shoqëruar nga grupi i sigurisë së burgjeve, ndërsa seanca ka nisur në orën 09:00.

Seanca mbahet sot, për shkak të afateve 5 ditore nga dita e dorëzimit të kërkesës.

Çështja ndaj tij ndodhet në fazën e seancës paraprake, ku kanë mbetur pa parashtruar argumentet e tyre, vetëm Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.

Pas ezaurimit të kësaj faze, gjykata do vendos nëse e kalon për gjykim, e kthen pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen.

Veliaj është i pandehur për korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre, pastrim parash, fshehje apo mosdeklarim pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në paraburgim, informon gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj.