Rritet niveli i detit në Vlorë, uji i afrohet portit të peshkimit në Radhimë

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:45, në qytetin e Vlorës është regjistruar një rritje e nivelit të detit, një fenomen që sipas peshkatarëve vendas nuk është vërejtur më parë me këtë intensitet.

Uji ka avancuar drejt tokës duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit në Radhimë, ndërsa varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët për shkak të ngritjes së menjëhershme të nivelit të detit. Si pasojë, uji ka vërshuar edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke krijuar situatë shqetësuese për mjetet dhe pajisjet e punës së peshkatarëve.

Sipas dëshmive nga terreni, niveli i ujit ka qenë dukshëm më i lartë se baticat e zakonshme, duke arritur mbi 1 metër, ndërkohë që niveli normal i baticës dhe zbaticës varion nga 40 deri në 60 centimetra. Peshkatarët shprehen se, nëse kjo situatë vazhdon, ekziston rreziku që uji të dalë në rrugë dhe të shkaktojë dëme të mëtejshme.

Një tjetër element shqetësues ka qenë dalja e disa peshqve në tokë, një fenomen që zakonisht ndodh gjatë detit të trazuar ose ndryshimeve të forta të nivelit të ujit.