Vedat Muriqi shpallet lojtari i muajit në La Liga: Do festoj nëse dal pas Mbappe si golashënues

Vedat Muriqi është shpallur sot lojtari i muajit në La Liga, një tjetër vlerësim i madh për sulmuesin dardan, i cili po kalon momentin më të artë të karrierës së tij.

Me 14 gola të shënuar deri tani, Muriqi është kthyer në pikë referimi për Mallorcan dhe një nga sulmuesit më efikasë të kampionatit spanjoll.

Forma e tij e jashtëzakonshme e ka futur në listën e lojtarëve që po “kërcënojnë” fronin e Kylian Mbappe në garën për “Këpucën e Artë”, por vetë Muriqi tregohet realist.

Në një intervistë për “IB3”, ai ka pranuar se një vend i dytë në këtë renditje do të ishte një sukses i madh për të.

“Është e pamundur të konkurrosh me një lojtar si Kylian Mbappe. Ai i përket një bote tjetër. Për mua do të ishte fitore nëse e mbyll sezonin në pozicionin ku jam tani. Nëse dal i dyti në renditjen e golashënuesve, do të festoj sikur të isha i pari”, u shpreh Muriqi.