Trump sulmon 'të majtën radikale' dhe mbështet Kristi Noem-in mes trazirave për zbatimin e ligjit të...
Presidenti Donald Trump shprehu sërish mbështetje për Sekretaren e Sigurisë Kombëtare (DHS), Kristi Noem, të premten, duke thënë se ajo ka bërë një "punë të shkëlqyer" mes protestave mbarëkombëtare për emigracionin.
Në një postim të gjatë në Truth Social, Trump akuzoi aktivistë të "së majtës radikale" se po e sulmojnë Noem-in, ndërsa theksoi atë që ai e përshkroi si arritje historike në sigurinë kufitare dhe rendin publik gjatë administratës së tij.
"Radikalët e çmendur të së Majtës, kryengritësit, provokatorët dhe banditët po shkojnë pas Kristi Noem-it, Sekretares së Sigurisë Kombëtare, sepse ajo është grua dhe ka bërë një punë vërtet SHUMË TË MIRË!" shkroi Trump të premten në mbrëmje. "Katastrofa e kufirit që trashëgova është rregulluar, kriminelët e dhunshëm që u lejuan të hynin në vendin tonë përmes politikës së 'sëmurë' të kufijve të hapur të Joe Gjumashit, kryesisht janë larguar ose po kërkohen me forcë për dëbim, dhe norma e vrasjeve në SHBA sapo arriti nivelin më të ulët në histori, në 125 vjet!"
Në një postim tjetër, Trump lavdëroi "shefin e kufirit" Tom Homan për një "PUNË FANTASTIKE", pasi e dërgoi atë këtë javë në Minneapolis për të zëvendësuar komandantin e Patrullës Kufitare, Greg Bovino. Trump ka sugjeruar se Bovino nuk e kishte mbikëqyrur siç duhet goditjen ndaj emigracionit në atë shtet.
Disa demokratë të njohur kanë kërkuar së fundmi largimin e saj nga posti i sekretares së DHS-së, dhe udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries nga Nju Jorku, së bashku me demokratë të tjerë, po kërcënojnë me procedura shkarkimi nëse Noem nuk "shkarkohet menjëherë".
Edhe senatorët republikanë Thom Tillis nga Karolina e Veriut dhe Lisa Murkowski nga Alaska kanë kërkuar publikisht largimin e saj.
Të premten, disa grupe studentore të Universitetit të Minesotës udhëhoqën atë që e quajtën një "Mbyllje Kombëtare", në shenjë proteste kundër zbatimit federal të ligjeve të imigracionit, me aktivistë që iu bashkuan nga e gjithë vendi.
Trump akuzoi demokratët se po i përdorin protestat si një shpërqendrim nga ato që ai i quajti krime të përhapura financiare, që përfshijnë miliarda dollarë fonde publike.
"Republikanë, mos lejoni që këta demokratë të korruptuar, që po vjedhin miliarda dollarë nga Minesota dhe qytete e shtete të tjera në gjithë vendin, t'ju shtyjnë sa andej-këndej," shkroi ai. "Ata po e përdorin këtë mashtrim protestash agresive për të mjegulluar, fshehur dhe mbuluar AKTET e tyre KRIMINALE të vjedhjes dhe kryengritjes. Të gjithë duhet të ishin në burg."
Mesazhi i fundit i presidentit në mbështetje të Noem-it vjen pasi u konfirmua të martën se ai nuk ka plane t'i kërkojë asaj të largohet nga detyra.
"A do të largohet Kristi Noem?" e pyeti një gazetar.
"Jo," u përgjigj Trump.
Noem iu përgjigj thirrjeve për largimin e saj në një intervistë të enjten në emisionin "Hannity", duke thënë se "radikalët" po e sulmonin.
"Këta radikalë po më sulmojnë, por unë thjesht po bëj punën time. Po zbatoj ligjin, po zbatoj ligjet ashtu siç Presidenti Trump premtoi se do ta bënte për t'i mbajtur njerëzit të sigurt në këtë vend," tha ajo. / Fox News – Syri.net