Kuptimi i spastrimit ushtarak të Xi-së

Nga Dennis Wilder/

Që kur Xi Jinping u bë president i Republikës Popullore të Kinës në vitin 2013, shumë analistë janë bindur se ai është i gjithëfuqishëm dhe se pushteti i tij nuk sfidohet nga askush. Për këta vëzhgues, spastrimi i udhëheqjes ushtarake të Kinës, përfshirë gjeneralin e lartë Zhang Youxia fundjavën e kaluar, ishte thjesht një tjetër shembull i Xi-së që pastron elementët e panevojshëm, largon të korruptuarit ose ata që nuk paraqiten mirë në nivelet e larta të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se ky vlerësim është i gabuar.

Së pari, ai shpërfill paranojën e hershme të Xi-së, i cili pretendon se sheh dorën e keqe të CIA-s amerikane pas çdo episodi trazirash të brendshme, nga lëvizja studentore e Sheshit Tiananmen në vitin 1989, te protestat pro demokracisë në Hong Kong apo trazirat ujgure. Këtë herë, mund të ketë vërtet arsye që Xi të ndihet paranojak, pasi drejtuesit e partisë po vënë në pikëpyetje gjykimin e tij për largimin e Zhang-ut.

Së dyti, dhe më e rëndësishmja, ky vlerësim shpërfill tensionet e pashmangshme mes dy institucioneve më të fuqishme në sistemin komunist kinez: partisë dhe ushtrisë. Fakti është se çdo udhëheqës civil që nga krijimi i Republikës Popullore në vitin 1949 ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Ushtrinë Çlirimtare Popullore, madje edhe Mao Ce Duni. Historia është plot me raste kur ushtria ka vënë në dyshim mençurinë e udhëheqjes civile.

Në vitin 1958, për shembull, Peng Dehuai, komandanti i forcave kineze në Luftën e Koresë, vuri në dyshim mençurinë e politikës ekonomike të Mao-s, "Hapi i Madh Përpara". Ai citoi letra nga ushtarët e tij, të cilët thoshin se familjet e tyre po vdisnin nga uria. Vetëm një ushtarak do të guxonte të vinte kaq hapur në dyshim udhëheqësin e partisë. Por kjo nuk e mbrojti nga zemërimi i Mao-s: Peng u spastrua.

Në një mënyrë më pak dramatike, por po aq domethënëse, në janar 2011 Ushtria Çlirimtare Popullore duket se shprehu pakënaqësinë e saj me mënyrën se si presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i partisë, Hu Jintao, po i menaxhonte marrëdhëniet SHBA-Kinë, gjatë një vizite në Pekin të sekretarit amerikan të mbrojtjes të asaj kohe, Robert Gates. Sipas rrëfimit të Gates-it, ushtria kineze, në një shfaqje të pazakontë force, nxori për herë të parë avionin e saj të ri luftarak J-20, vetëm disa orë para se amerikani të takohej me Hu-në. Një nga ndihmësit e Gates-it i tha: "Kjo është një fyerje shumë e madhe." Hu u vu në siklet dhe i vetmi njeri në dhomë që e dinte për testin ishte përfaqësuesi ushtarak kinez.

Nuk ka prova që gjenerali Zhang t'i jetë kundërvënë ndonjëherë Xi-së. As nuk ka pasur ndonjë shenjë mosmarrëveshjeje mes të dyve. Përkundrazi, Xi e kishte promovuar Zhang-un në Komisionin Qendror Ushtarak dhe ishte mbështetur tek ai për të drejtuar ushtrinë, deri tani. Atëherë, çfarë ndodhi?

Duket e mundshme që Xi u alarmua kur, verën e kaluar, Zhang arriti të spastronte Komisionin Qendror Ushtarak nga dy gjeneralë që Xi vetë i kishte vendosur në krye të strukturës komanduese ushtarake. He Weidong dhe Miao Hua ishin komandantë ushtarakë në frontin e Tajvanit, kur Xi ishte drejtues partie në atë rajon.

Ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë se çfarë e shtyu Zhang-un të niste largimin e tyre, apo nëse Xi, në atë kohë, e pranoi këtë veprim. Ka spekulime se ata po shtynin për një qasje më agresive ushtarake ndaj Tajvanit. Disa burime kineze besojnë se Zhang, si një ushtar i vjetër me përvojë luftarake në kufirin me Vietnamin, nuk mendonte se ushtria ishte gati të ndryshonte qasjen e saj. Mundet gjithashtu që gjeneralët më të rinj thjesht kishin ide të ndryshme për modernizimin ushtarak dhe politikat.

Por duket e qartë se Xi u shqetësua nga grumbullimi i pushtetit të pakontrolluar të Zhang-ut pasi ky i fundit eliminoi rivalët e tij në Komisionin Qendror Ushtarak. Akuzat ndaj Zhang-ut përfshijnë pretendimin se ai "ka shkelur rëndë dhe ka dëmtuar sistemin e përgjegjësisë së kryetarit", një aludim i qartë për pozicionin e Xi-së si komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Xi mund të ketë menduar se ai vetë mund të ishte objektivi i radhës i Zhang-ut, ose se Zhang mund të përpiqej ta pengonte atë të siguronte një mandat të katërt pesëvjeçar si udhëheqës.

Si anëtar i Byrosë Politike dhe njëkohësisht oficeri më i lartë me uniformë, Zhang teorikisht mund të kishte punuar gjatë vitit të ardhshëm me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike dhe me drejtues të vjetër të dalë në pension për ta realizuar këtë. Edhe më shqetësuese, është e mundur që Zhang të ketë shprehur kundërshtim ndaj përpjekjes së Xi-së për të përgatitur ushtrinë për luftë në Ngushticën e Tajvanit deri në vitin 2027.

Cilado qoftë e vërteta, ekziston rreziku që rënia e Zhang-ut të shkaktojë shqetësim mes elitës së partisë për gjykimin dhe udhëheqjen e Xi-së. Ata, për shembull, mund ta shtyjnë atë të emërojë një pasardhës, diçka që ai ka hezituar ta bëjë deri tani, ose të kërkojnë marrëveshje për ndarje pushteti që t'u japin më shumë hapësirë liderëve më të rinj. Që nga viti 2013, Xi e ka drejtuar Kinën me dorë të hekurt. Por largimi i Zhang-ut mund të ketë qenë një tejkalim autoritar.

Një gjë është e sigurt: krimi i vërtetë i Zhang-ut nuk ishte korrupsioni apo paaftësia në udhëheqje. Ishte fakti që ai u bë tepër i fuqishëm për t'u duruar nga Xi. / Financial Times – Syri.net