SYRI TV/ PD: Vendimi i KLGJ për Irena Gjokën është antikushtetues

Një ditë pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të mos pranuar raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për Irena Gjokën, grupi parlamentar i PD-së ka reaguar në një deklaratë për mediat. Ata e cilësojnë vendimin e KLGJ-së si shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, dhe një vendim që sjell dëme të parikuperueshme për sistemin e drejtësisë. Grupi i deputetëve demokratë kërkon nga KLGJ rishqyrtimin e çështjes dhe nga ILD që t'ia dërgojë sa më shpejt KLG-së për vendimmarrje çështjen e Irena Gjokës.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të rrëzuar relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme për gjykatësen Irena Gjokën. Në një deklaratë për mediat, deputetët e selisë blu thonë se kjo vendimmarrje e KLGJ-së është shkelje e Kushtetutës dhe zvarritje me dëme të parikuperueshme për sistemin gjyqësor dhe reformën në drejtësi.

Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedentë e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes së pushtetit gjyqësor. Dërgimi për kompetencë të ILD-së është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të paligjshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe kërkon nga anëtarët e ndershëm të këtij Këshilli që të kërkojnë sërish përfshirjen në axhendë të kësaj çështjeje.

Grupi parlamentar i PD ka dhe një thirrje për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Po ashtu, i bëjmë thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren e dënuar. Çdo sjellje e ndryshme e KLGJ-së dhe ILD-së vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe cënon rëndë parimet e shtetit të së drejtës, pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Të premten, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me 6 vota kundër, rrëzoi relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme që propozonte shkarkimin e Irena Gjokës, pas vërtetimit të dënimit të saj në Greqi në vitin 2005.