Rreth 10 mijë banorë në errësirë totale në Shushicë prej mbrëmjes së kaluar, autoritetet përgjegjëse në gjumë...
Rreth 10 mijë banorë të Shushicës, në Elbasan, vijojnë të jenë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së kaluar. Mos marrja e masave dhe indiferenca totale e autoriteteve përgjegjëse ka bërë që ndërprerja e zgjatur e furnizimit të lejë fshatrat e zonës në errësirë totale, duke shkaktuar vështirësi serioze në jetën e përditshme dhe në aktivitetin ekonomik.
Mungesa e energjisë ka prekur jo vetëm familjet, por edhe bizneset lokale, të cilat raportojnë probleme në funksionimin normal, furnizimin me energji dhe ruajtjen e produkteve, veçanërisht ato ushqimore.
Sipas informacioneve paraprake, shkak i ndërprerjes është bërë moti i përkeqësuar.Ky nuk është rasti i parë i ndërprerjeve të gjata të energjisë në zonë, çka ka shtuar shqetësimin dhe pakënaqësinë e banorëve.
Ata shprehen se po përballen me vështirësi të mëdha, sidomos familjet me fëmijë të vegjël, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse për një zgjidhje të menjëhershme, si dhe për marrjen e masave afatgjata, pasi situata e përsëritur po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe sigurinë e komunitetit.