Berisha: Fondet që u takojnë fermerëve, këta ua ndajnë 200 mijë lekë për votë patronazhistëve
Sali Berisha ka komentuar situatën e vështirë të fermerëve dhe politikën aktuale të qeverisë ndaj fshatrave dhe sektorit bujqësor. Ai ka theksuar se në vitet 2009-2013, qeveria e tij arriti të rikthejë 180 mijë familje shqiptare në fshatra dhe të mbështeste zhvillimin e fshatrave me financime dhe projekte për pemë frutore dhe arrorë, si dhe investime në infrastrukturë.
Berisha ka shtuar se qeveria aktuale i ndan fondet për fermerët në mënyrë të pa drejtë, duke i përdorur ato për të ndihmuar patronazhistët në këmbim të votave, duke përmendur si shembull ndarjen e 200 mijë lekëve për vota.
Ai ka theksuar se ndërkohë që qeveria e tij investoi në drurët frutorë dhe në zhvillimin e pyllëzimit, qeveria aktuale ka dështuar në mbështetje të fermerëve dhe ka keqpërdorur fondet për qëllime politike. Berisha ka shpallur se qeveria e tanishme ka vjedhur 90% të fondeve që duhet të ishin përdorur për zhvillimin e fshatrave dhe bujqësisë, dhe ka ftuar për një politikë të re që t’i rikthejë vëmendjen dhe mbështetje të fortë fshatit dhe zhvillimit të tij të qëndrueshëm.
Pjesë nga biseda:
Anila Tafa: A nuk ka ardhur koha që forcat politike të udhëhiqen nga natyra, të respektojmë ligjet e saj, duke jetuar sa më në harmoni. Politika të ndihmojë njerëzit të kthehen në fshatra, tek toka, por duke mësuar të jetojnë dhe respektuar ekosistemin. Është koha që PD të bëhet mbështetësja e fshatit, tokës dhe natyrës. Kështu që njerëzit do të jenë më të sigurtë tek një forcë politike. Duhet një ndryshim i vërtetë.
Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen dhe jam plotësisht dakord me shqetësimin tuaj. Por që të ketë një politikë aktive, duhet të garantohet popullimi, themelor. Si themelori i fshatrave. Fshatrat po vdesin. Me qindra e qindra fshatra pa asnjë banor, sepse ikin. Ta tha dje fermeri, çfarë i tha? Ke hapur tha tregun për prodhimet serbe dhe prodhimet tona mbeten në fushë. Duhet të ketë një politikë. Ju flisni për mjedisin. Në një farë mënyre unë i besoj, se unë jam mjek dhe i besoj çështjet e mjedisit, dhe nuk jam nga ata që kam bindjen se ata nuk qëndrojnë. Besoj në shumë gjëra.
Nuk kemi deklaruar ne se, kemi mbjellur 1 milionë pemë në Tiranë, siç ka deklaruar ai që është në burg, që ka vjedhur paratë e 1 milionë fidanëve.
Por ne me dokumente zyrtare kemi arritur në 11 milionë rrënjë ullinj kur e dorëzuam pushtetin, nga 4 milionë. Shumica u mbollën nga qeveria, por pastaj mbollën dhe qytetarët se e panë që ishte një leverdi. Mbollëm me qindra hektarë arrorë.
Në fakt, atë që mund të quhet politikë pyllëzimi, ne po e zëvendësonim me politikën e druve frutorë. Pse po e bënim ne këtë. Sepse terreni në Shqipëri, e gjithë zona kodrinore nga Hani i Hotit gjer në Vlorë, lejon veshjen e tyre me vreshta dhe ullinj. Aty ku mund të ketë një kaçube, më mirë të jetë një rrënjë ulli. Të jetë një vresht, kjo ishte filozofia jonë. Ndaj ne kishim parashikuar fillimisht 12 pastaj 20 milionë dhe në kohë potenciali ishte llogaritur gjer në 50 milionë rrënjë ullinj. Por kjo për zonën e ullirit.
Për zonën tjetër jo të ullirit, ne kishin llogaritur arror. Gështenjtë, arrë, lajthi dhe përveç tyre edhe shegën. Ne ecëm në këtë drejtim dhe u mbollën disa qindra hektarë me arror. Mendoj se vazhdimi i këtyre projekteve është një mbështetje e madhe dhe për mjedisin sepse natyrisht ka brenda antierozionin.
Ne për 1 hektarë ullinj jepnim 3500 dollarë në atë kohë, më vonë kaluam në 2500. Po kështu për arrorët. Por ama identifikimi, vërtetimi ishte absolut, nuk mund të gënjenje njeri, sepse paratë lëvroheshin kundrejt çdo procesi.
Çfarë bënë këta e nderuar zonjë. Këta fondet që u japin fermerëve për këtë, nuk i japin më kështu. Këta i japin 200 mijë lekë për votë patronazhistëve, dhe janë zhdukur. Absolutisht e vërtetë kjo që u them unë ju. Ndajnë fondet e përcaktuara, grante për pemë frutore etj., etj., i ndajnë ato për patronazhistë për vota.
Së dyti, e thashë dhe më parë e them prap. U rikthye nga viti 2009-2013, 180 mijë familje shqiptare. Shumë e shumë prej tyre në fshatra ku morën toka me qira, morën financimet, mbollën dru frutore, mbarështruan tufa me lopë, dhi, dele. Pra, filloi një rigjallërim në fshatin shqiptar.
Tani më thuaj pak? Të paktën 8 mijë km rrugë u ndërtuan në Shqipërinë rurale, minimumi, por mund të jenë më shumë po t’i llogaris. Më thuaj çfarë është bërë me Shqipërinë rurale gjatë 12 viteve.
A e dini ju se ato fshatra që thotë ky, janë të gjitha në letër, nuk ekziston asnjë. Ishte një projekt i ynë i mëparshëm dhe ky e kaloi në 100 fshatra, ne e kishim në komuna.
Për ta mbyllur, këta vjedhin 90% të fondeve që alokohen për punët publike, për qëllime të tjera. Me këta nuk ka absolutisht asnjë projekt të sigurtë.