Berisha: Në PD do bëhen zgjedhje në të gjitha nivelet, do të përsosim edhe procesin e primareve
Sali Berisha ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike në të gjitha nivelet, duke përfshirë dhe procesin e primareve.
Ai ka garantuar se, pavarësisht kritikave të ngritura për primaret, PD do të vazhdojë t’i zhvillojë ato, pasi heqja e tyre do të përbënte heqjen e mundësisë për të marrë parasysh vullnetin e anëtarësisë. Berisha ka nënvizuar se organigrama drejtuese e partisë do të përcaktohet mbi bazën e votës së anëtarësisë, duke siguruar se çdo nivel, nga kryetari deri tek degët e seksionet, do të jetë i zgjedhur demokratikisht.
Përfundimisht, ai ka shprehur optimizëm për të ardhmen e PD-së, duke theksuar datën 10 shkurt si momentin kur do të provohet angazhimi i partisë.
Fjala e tij:
Mesazhi im është, u falënderoj përzemërsisht që më ndoqët në këtë bisedë.
Besoj se u thashë përgjigje pyetjeve tuaja, përveçse njërit që tani më vjen në mendje, i cili pyeti se a do bëhen zgjedhje.
U garantoj se në PD do bëhen zgjedhje në të gjitha nivelet, dhe u garantoj se me të gjitha kritikat që bëhen për primaret, unë kërkoj mirëkuptimin tuaj se heqja e primareve do të thotë heqje e marrjes parasysh të vullnetit të anëtarëve.
Dhe nuk duhet të kërkojmë këtë, por do bëjmë çmos t’i përsosim ato.
Dhe mbi bazën e votës së anëtarësisë do të zgjidhet e gjithë organigrama drejtuese nga kryetari gjer tek degët, seksionet e PD-së.
Faleminderit shumë dhe prova jonë, ora jonë është data 10 shkurt, ora 5.