Berisha: Opozita është e hapur, por ata që duan të bëjnë opozitën e opozitës, faktikisht janë në shërbim të tjetërkujt

Kreu i PD-së, komentoi refuzimin e Agron Shehajt për t'iu bashkuar tryezës së dialogut politik. Ai theksoi se nuk mund të fliste për motivet e tij, por nënvizoi se për Shehajn, që krahasoi PD-në me PS-në, ky veprim ishte një përpjekje për të pasur një "opozitë të opozitës".

Berisha theksoi se, sipas tij, qytetarët që votuan Shehajn nuk e bënë këtë për të penguar bashkimin e opozitës, por për të larguar "të keqen më të madhe", që ai e identifikoi si Edi Ramën.

Ai bëri të qartë se opozita është e hapur, por ata që veprojnë kundër këtij fronti të bashkuar, sipas Berishës, janë në shërbim të interesave të tjera.

Pjesë nga biseda:

 Fredi: Agron Shehaj nuk po pranon t’i bashkohet tryezës së dialogut politik. Pse mendoni se po e bën këtë?

Sali Berisha: Përgjigjen më të saktë për këtë mund t’ua japë vetë Agron Shehaj, i cili ka moralin të krahasojë PD-në me PS-në. Thotë se është i persekutuar.
Pra, krahason PD-në që çliroi nga burgjet dhe persekutimi, paraardhësit e tij, me PS-në që persekutoi paraardhësit e tij.
Pra, njeriu është i lirë të thotë atë që do. Unë një bindje kam, se ata që kanë votuar Agron Shehajn, nuk e kanë votuar që ai të mos bashkohet në një front të gjerë opozitar, për të larguar të keqen më të madhe Edi Ramën, sepse jam i bindur se, ata qytetarë sot po ti pyesësh konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe.
Opozita është e hapur. Unë e kam theksuar, por ju kam njoftuar se, ata që duan të bëjnë opozitën e opozitës, ata janë faktikisht në shërbim të tjetërkujt.