'Do të kishte mbijetuar', Irani akuzohet se po shënjestron spitalet gjatë goditjes ndaj protestave

Spitalet në Iran nuk konsiderohen më vende të sigurta, pasi goditja e autoriteteve ndaj protestave antiqeveritare po prek çdo aspekt të jetës, paralajmërojnë organizatat e të drejtave të njeriut. Sipas tyre, forcat e sigurisë po arrestojnë protestues të plagosur dhe madje edhe mjekët që i trajtojnë ata.

Aktivistët akuzojnë autoritetet se kanë vrarë mijëra persona dhe kanë plagosur shumë të tjerë duke qëlluar drejtpërdrejt mbi turmat e protestuesve, shpesh me fishekë të cilët lënë copa metali në trup dhe kërkojnë ndërhyrje profesionale për t’u hequr në kushte higjienike.

Megjithatë, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, autoritetet kanë bastisur spitale në kërkim të personave me plagë që tregojnë përfshirje në protesta. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën pesë mjekë janë arrestuar për trajtimin e protestuesve të plagosur.

Amnesty International deklaroi se forcat e sigurisë kanë “arrestuar protestues që po merrnin trajtim në spitale”, duke shtuar se ka informacione se stafi mjekësor në provincën qendrore Isfahan është urdhëruar të njoftojë autoritetet për pacientët me plagë nga armët e zjarrit.

Edhe Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran (CHRI), me seli në Nju Jork, tha se ka dokumentuar raste ku forcat e sigurisë kanë bastisur spitale për të identifikuar dhe arrestuar protestues të plagosur gjatë demonstratave.

Në dukje si reagim ndaj këtyre akuzave, Ministria iraniane e Shëndetësisë u bëri thirrje këtë javë të plagosurve që “të mos shqetësohen” për të shkuar në spital dhe të mos mjekohen vetë në shtëpi. Ndërkohë, kreu i Këshillit Mjekësor të Iranit, Mohammad Raeeszadeh, deklaroi se “vetëm një numër shumë i kufizuar” i personelit mjekësor është arrestuar, duke mohuar se ndalimet lidhen me kryerjen e detyrës profesionale.

Një nga rastet më tronditëse është ai i Sajad Rahimi, 36 vjeç, nga Qeshm në Gjirin Persik. Sipas organizatës Iran Human Rights me bazë në Norvegji, ai u plagos rëndë pasi forcat e sigurisë qëlluan mbi një protestë në provincën Fars më 9 janar. Nga frika se mund të vritej nëse çohej menjëherë në spital, ai u mbajt larg institucioneve shëndetësore, por më vonë u dërgua për trajtim. Ai humbi jetën për shkak të një plage të thellë nga municioni i gjallë dhe gjakderdhjes së rëndë.

“Mjeku tha se po të kishte mbërritur në spital vetëm dhjetë minuta më herët, me shumë gjasë do të kishte mbijetuar”, tha vëllai i tij.

Organizatat raportojnë gjithashtu për bastisje të ambienteve mjekësore dhe strehimeve të improvizuara për të plagosurit, me qëllim arrestimin e stafit mjekësor dhe vullnetarëve të ndihmës së shpejtë. Grupi Hengaë përmendi rastin e mjekut Ali Reza Golchni nga qyteti Qazvin, i arrestuar për ofrimin e ndihmës mjekësore për protestuesit e plagosur.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh “thellësisht i shqetësuar” për raportimet se personeli shëndetësor dhe institucionet mjekësore në Iran po pengohen të ofrojnë shërbime jetike. Ai konfirmoi se ka raportime për të paktën pesë mjekë të ndaluar gjatë trajtimit të pacientëve të plagosur.

Edhe Shoqata Botërore e Mjekëve deklaroi se ka marrë informacione për arrestimin e protestuesve të plagosur në provincat Isfahan dhe Chaharmahal-and-Bakhtiari, si dhe për presione ndaj stafit spitalor që të raportojë plagët nga armët e zjarrit, përndryshe përballen me ndjekje penale.

Një tjetër rast i rëndë është ai i Taher Malekshahi, një djalë 12-vjeçar kurdo-iranian nga Qorveh, i cili u qëllua në fytyrë dhe sy me saçma. Ai humbi njërin sy dhe pësoi dëmtime të rënda në tjetrin. Sipas Hengaw, autoritetet kanë ushtruar presion mbi familjen e tij që të deklarojë se ai është plagosur nga “terroristë”, në këmbim të njohjes nga shteti si viktimë lufte.