Zyrtare/ Ish-futbollisti i Milanit rikthehet në Brazil për shifrën rekord

U deshën shumë ditë negociatash, por në fund marrëveshja u mbyll. Flamengo ka zyrtarizuar marrëveshjen me Lucas Paquetá, i cili kthehet te klubi ku u formua si futbollist, për shifrën më të lartë të paguar ndonjëherë nga një klub brazilian.

Mesfushori i Kombëtares së Brazilit është transferuar nga West Hami për 42 milionë euro, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 27 milionë eurosh, të paguara nga Cruzeiro për Gerson gjatë kësaj merkatoje dimërore. Paquetá, që doli nga akademia Ninho do Urubu, rikthehet në shtëpi pas një aventure të gjatë në Europë.

Braziliani u largua nga Flamengo në moshën 21-vjeçare drejt Milanit, për të vazhduar më pas te Lyoni, ku luajti për dy sezone. Më vonë u transferua në Premier League, te West Hami, ku kaloi tri sezone e gjysmë dhe u shndërrua në një nga lojtarët kyç të skuadrës londineze, të drejtuar nga Nuno Espírito Santo.

Operacioni nuk ishte aspak i lehtë. Negociatat me klubin anglez u drejtuan nga drejtori sportiv portugez i Flamengos, José Boto, i cili luajti rol vendimtar në mbylljen e marrëveshjes. West Hami fillimisht kërkonte rreth 60 milionë euro dhe preferonte ta huazonte lojtarin, por këmbëngulja e Botos dhe vullneti i vetë Paquetás për t’u rikthyer te Flamengo bënë diferencën.