Publikohen mbi 3 milionë faqe nga dosjet e Epstein: video, foto dhe detaje nga burgu ku vdiq
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur publikimin e më shumë se tre milionë faqeve dokumentesh që lidhen me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, i cili vdiq në burg në vitin 2019.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se në këtë publikim përfshihen mbi 2,000 video dhe rreth 180,000 fotografi.
Dokumentet po shqyrtohen aktualisht dhe pritet që në ditët në vijim të dalin në dritë edhe detaje të tjera.
Publikimi vjen gjashtë javë pas afatit të përcaktuar nga një ligj i nënshkruar nga Presidenti Donald Trump. Departamenti i Drejtësisë ka sqaruar se vonesa është shkaktuar nga nevoja për të shqyrtuar miliona materiale, me qëllim mbrojtjen e identitetit të viktimave.
Mijëra faqe janë bërë publike edhe më herët, duke përfshirë fotografi me persona të njohur, mesazhe telefonike dhe email-e. Autoritetet theksojnë se përfshirja e një emri në dokumente nuk nënkupton automatikisht fajësi, dhe shumë prej personave të përmendur në publikimet e mëparshme kanë mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Dëshmi të reja për ditët e fundit të Epstein në burg
Në grupin e ri të dokumenteve përfshihet edhe një raport mbi kohën që Epstein kaloi në burgun Metropolitan Correctional Center (MCC) në Nju Jork.
Raporti bazohet në dëshmi të mbledhura nga FBI në vitin 2019, nga një punonjës i burgut me gradën “kapiten”, identiteti i të cilit nuk bëhet publik. Ai përshkruan lëvizjet e Epstein brenda burgut dhe faktin se ai ishte vendosur herë pas here nën vëzhgim për shkak të rrezikut për vetëdëmtim.
Sipas dëshmisë, Epstein nuk dëshironte të kishte një person tjetër në qeli dhe përdorte sjellje manipuluese për ta shmangur këtë, përfshirë edhe kërkesa për të takuar psikologun.
Në dokument thuhet se më 23 korrik 2019, Epstein u gjet pa ndjenja në dyshemenë e qelisë së tij, me një copë pëlhure të improvizuar mbi gjoks. Po ashtu, janë shprehur dyshime se ai mund të kishte shtirur humbjen e ndjenjave, pasi ishte vërejtur duke hapur sytë dhe duke bërë lëvizje të pazakonta.
Raporti përmend gjithashtu se Epstein kishte pretenduar se personi që ndante qelinë me të ishte përpjekur t’i merrte jetën.
Më vonë, drejtori i burgut kishte këshilluar që Epstein të mos mbahej vetëm në qeli dhe kishte urdhëruar kontrolle çdo 30 minuta, përfshirë edhe kontrolle të paparalajmëruara.
Megjithatë, më 10 gusht 2019, ditën kur Epstein vdiq, ai u gjet pa shenja jete në qelinë e tij, ku ndodhej i vetëm. Një nga dëshmitarët u shpreh i habitur që Epstein nuk kishte pasur njeri tjetër në qeli.
Sipas dokumentit, stafi i burgut pranoi më vonë se nuk kishte kryer kontrollet e planifikuara në orën 03:00 dhe 05:00, ndërsa sistemi i kamerave të sigurisë në atë repart nuk funksiononte në momentin e vdekjes.