Sharjah njofton ndarjen me Rey Manajn, sulmuesi i Kombëtares do të kthehet në Turqi

Rey Manaj ka mbyllur përfundimisht aventurën e tij me Sharjah FC pas vetëm gjashtë muajsh qëndrimi në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është ndarë me konsensus nga klubi arab, i cili e ka bërë zyrtare vendimin përmes një komunikate në rrjetet sociale.

“Sharjah FC ka rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me futbollistin shqiptar Rey Manaj. I urojmë atij suksese dhe fat të mbarë në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftimin e klubit.

Vendimi i Manajt lidhet drejtpërdrejt me dëshirën e tij për t’u rikthyer në Turqi. 28-vjeçari synon t’i bashkohet që menjëherë Sivassporit, klub ku ka lënë gjurmë si një prej golashënuesve më të spikatur në Superligën turke. Pikërisht kjo dëshirë e ka shtyrë sulmuesin shqiptar të prishë një kontratë të rëndësishme financiarisht, nga e cila përfitonte rreth 3.9 milionë euro te Sharjah, siç ishte raportuar edhe më herët.

Tashmë gjithçka duket e qartë: Manaj pritet të udhëtojë drejt Turqisë për të formalizuar rikthimin te Sivasspori, ku do të kërkojë të rilindë formën e tij më të mirë dhe të rifitojë rolin e protagonisti që e bëri të dashur për tifozët vendas.