Benfica–Real Madrid, përballje me kujtime të dhimbshme: shans për revansh ndaj Mourinho-s
Shorti i Champions League i ka rezervuar Real Madridit një përballje me shumë simbolikë. Skuadra e Alvaro Arbeloas do të ndeshet me Benficën në fazën “play-off”, me synimin për të siguruar një vend në 1/8-at e kompeticionit më prestigjioz europian. Takimi i parë do të zhvillohet në Lisbonë, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në “Santiago Bernabéu”.
Për Mbappé dhe bashkëlojtarët e tij, kthimi në “Da Luz” ka shijen e një rikthimi në një stadium që u ka shkaktuar plagë të hapura. Humbja 4-2 dhe goli dramatik i Trubinit në minutën e 98-të janë ende të gjalla në kujtesën e tifozëve madrilenë. Një mbrëmje që ndryshoi rrjedhën e fazës dhe i detyroi “Los Blancos” të kalojnë nga kjo rrugë më e vështirë drejt kualifikimit.
Sfida ka edhe një tjetër dimension emocional: do të jetë vizita e parë e José Mourinhos në këtë stadium pas rikthimit të tij në pankinën e Benficës. Portugezi, që ka lënë gjurmë të forta në historinë e Real Madridit mes viteve 2010 dhe 2013, pritet të jetë në qendër të vëmendjes, mes tensionit, nostalgjisë dhe rivalitetit të hapur.
Real Madridi do të kërkojë revanshin për zhgënjimin e pësuar, duke shpresuar se ndeshja e kthimit në shtëpi do të jetë vendimtare. Nga ana tjetër, Benfica do të synojë të përsërisë surprizën dhe të tregojë se suksesi i fundit nuk ishte rastësi. Një duel i fortë, me shumë histori dhe emocione, ku sidomos “Special One” do të ketë një skenë ideale për të dëshmuar se ende di të bëjë diferencën në nivelet më të larta.