Djokovic përmbys Sinner-in dhe siguron finalen e Australian Open, italiani lë fronin
Novak Djokovic ka prerë biletën për në finalen e Australian Open pas një përballjeje epike që zgjati afro katër orë. Tenisti serb, fitues i 24 titujve Grand Slam, triumfoi 3-2 ndaj italianit Jannik Sinner, me setet 3-6, 6-3, 4-6, 6-4, 6-4, në një gjysmëfinale plot emocione dhe kthesa.
Sfida nisi më mirë për Sinnerin, i cili arriti të marrë avantazhin duke fituar setin e parë. Djokovic reagoi në të dytin, por italiani u rikthye sërish në epërsi pas setit të tretë, duke e vënë serbin nën presion maksimal. Megjithatë, përvoja dhe qetësia e Djokovic bënë diferencën në momentet vendimtare: ai dominoi setin e katërt dhe e çoi ndeshjen në setin final, ku arriti të përmbysë plotësisht rezultatin dhe të sigurojë fitoren.
Për Djokovic, kjo do të jetë finalja e 11-të në karrierë në Australian Open, një turne ku ai ka ndërtuar një histori të jashtëzakonshme suksesi. Nga ana tjetër, Sinner, kampion i dy edicioneve të fundit, detyrohet të dorëzojë titullin pas një paraqitjeje shumë dinjitoze dhe konkurruese.
Në finalen e madhe, Djokovic do të përballet me numrin një të botës, spanjollin Carlos Alcaraz, i cili më herët eliminoi gjermanin Alexander Zverev, gjithashtu pas një ndeshjeje të fituar 3-2. Përballja pritet të jetë spektakolare dhe vendimtare për titullin në Melburn.