Vizita e Ramës në Izrael – ‘Jo në emrin tim!’, aktivistët: Servilizëm i pastër ndaj një…

Dhjetëra qytetarë u mblodhën në Tiranë në një tubim solidariteti me popullin palestinez, duke e cilësuar situatën në Gaza si një “gjenocid të dokumentuar në kohë reale”. Megjithatë, aktivistët kritikuan ashpër qëndrimin e qeverisë shqiptare, pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Izrael.

Nën sloganin kryesor “Jo në emrin tim!”, një prej aktivistëve akuzoi kryeministrin dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar, se po justifikojnë dhe po i servilosen ‘një krimineli lufte si Benjamin Netanjahu”.

Sipas tij, fjalimet e Ramës gjatë vizitës në Izrael ishin “patetike dhe të shëmtuara”, duke shprehur një dyshim të thellë mbi qëllimet dhe përfaqësimin e këtij qëndrimi. “Kjo nuk është një fjali urrejtjeje, por një fjali mbrojtjeje,” shpjegoi organizatori, duke shtuar se “është një fjali që qytetarët e vendosin kur ata që zgjedhin flasin në emër të tyre pa i pyetur”.

Akuza kryesore ishte se kryeministri nuk po flet në emër të popullit shqiptar, por për interesa personale “për të shpëtuar lëkurën e vet nga drejtësia”.

Në fjalën e tij, protestuesi solli në vëmendje historinë e Shqipërisë, duke e krahasuar atë me qëndrimet aktuale. Ai përmendi mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mbështetjen për Kosovën gjatë luftës së vitit 1999, duke argumentuar se populli shqiptar ka qenë historikisht në krah të viktimës dhe jo agresorit, jo sepse ka qenë e lehtë, por sepse “ka qenë e drejtë”.

Kritikat u përqendruan veçanërisht në takimin e Ramës me Netanjahun, ku sipas folësit, kryeministri “nuk guxoi të thoshte asnjë fjali të vetme për të dënuar gjenocidin” apo për të mbrojtur të drejtat e palestinezëve. Ky qëndrim u etiketua jo si diplomaci apo neutralitet, por si “frikë e veshur si diplomaci” dhe “servilizëm i pastër”.

Tubimi shërbeu si një thirrje e dyfishtë: një akt solidariteti me popullin palestinez përballë një katastrofe humanitare me mbi 71,000 të vrarë e masakruar dhe mbi 170,000 të plagosur, dhe një mesazh i qartë për qeverinë shqiptare se veprimet e saj në arenën ndërkombëtare nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të mbledhur.

Për palestinezët të cilët po përjetojnë një shkatërrim masiv, një gjenocid i cili po ndodh në sytë e gjithë botës. Fatkeqësisht për autorët e këtij gjenocidi, por edhe për ata që i mbështesin me zë ose në heshtje, por edhe për ata të cilët bëjnë sikur nuk kuptojnë, ky është gjenocidi më i mirë dokumentuar në kohë reale në epokën moderne. Por sot këtu jemi edhe për Shqipërinë. Nuk jemi vetëm për Gazën dhe për Palestinën, po jemi edhe për Shqipërinë. Sepse me të drejtë, sot ne kemi një dyshim të madh, të arsyeshëm mbi qëndrimin që qeveria e Republikës së Shqipërisë në një moment kaq të rëndë për njerëzimin po mban dhe mbi qëndrimin që përfaqësuesit që ne kemi zgjedhur aty po mbajnë duke justifikuar dhe duke bërë servilin ndaj një krimineli lufte si Benjamin Netanjahu.

Ne nuk e dimë se në emër të kujt shkon kryeministri Edi Rama në vizitë në Izrael, në emër të kujt bën batuta dhe gallatë dhe mban fjalime patetike dhe të shëmtuara dhe bën lavde dhe i serviloset Benjamin Netanjahut. Po posteri dhe parulla që na ka bashkuar të gjithëve ne këtu sot dhe të tjerëve që janë të ftuar duke na dëgjuar që të na bashkohen, është: Jo në emrin tim! Kjo nuk është një fjali urrejtjeje, aspak. Është një fjali mbrojtjeje. Është një fjali që qytetarët e vendosin kur ata që zgjedhin flasin në emër të qytetarëve pa pyetur qytetarët. Kur kryeministri i Shqipërisë shkon jashtë vendit, ai nuk shkon në vizitë personale, për hallet e tij personale, për interesat e tij personale, për të shpëtuar lëkurën e vet nga drejtësia, por ai duhet të flasë në emër të shtetit shqiptar dhe duhet të flasë mbi të gjitha në emër të popullit shqiptar që duhet të përfaqësojë. Duhet të pyesë për ndjeshmërinë e popullit shqiptar dhe duhet të pyesë për arsyen njerëzore, për atë për të cilën do të flasë.

 Dhe pikërisht, kjo është edhe arsyeja se pse ne jemi mbledhur këtu sot. Edi Rama e takoi, bëri shaka, u lajkatos dhe mbajti një fjalim të neveritshëm si kloun përballë Benjamin Netanjahut, kur Gaza sot është rrafsh me tokën. Kur mbi 71,000 palestinezë janë vrarë dhe masakruar, ndërsa mbi 170,000 të tjerë janë plagosur dhe kur trupat e mijëra fëmijëve vijojnë të nxirren nga rrënojat dhe këto janë shifrat më të pakta të mundshme, se mund të jenë edhe më shumë se kaq në viktima njerëzore. Kur spitalet, shkollat janë shkatërruar dhe kur Benjamin Netanjahu bashkë me ministrat e vet kriminelë fashistë ka përdorur urinë, ndaljen e rrymës, ndaljen e ujit dhe bllokadën si mjet terrori dhe si mjet lufte. Dhe prandaj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po e shqyrton shkeljen e Konventës së Gjenocidit në Gaza dhe prandaj Gjykata Penale Ndërkombëtare ka ngritur akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për autorët e tyre që është qeveria terroriste e shtetit të Izraelit.

Në fakt, ajo se çfarë ne të gjithë kemi parë, të dashur motra dhe vëllezër, është që përgjatë këtyre dy viteve, katër muajve duke nisur nga 7 tetori, qeveria e Shqipërisë ka përdorur metodën e abstenimit në konventat që kanë pasur të bëjnë në Kombet e Bashkuara me situatën në Gaza dhe në Palestinë. Pra, abstenim në OKB dhe servilizëm në Izrael përballë Netanjahut.  Jo në emrin tim! Edi Rama në takimin që e pamë të gjithë, e ndoqëm live, nuk guxoi të thoshte asnjë fjali të vetme për Gazën dhe të dënonte gjenocidin dhe të vendoste përgjegjësinë mbi autorët e gjenocidit. Në atë fjalim patetik, Edi Rama nuk guxoi të thotë asnjë fjali të vetme për të drejtat e palestinezëve që duhet të jetojnë si të barabartë me të tjerët. Ky, nga pikëpamja politike, kjo nuk është diplomaci, nuk është as neutralitet, por është frikë e veshur si diplomaci. Dhe në thelb ky është servilizëm i pastër.

Ai fjalim nuk ka përfaqësuar shqiptarët dhe Shqipërinë. Sigurisht nuk më ka përfaqësuar mua, po besoj nuk ka përfaqësuar as ju që jeni mbledhur këtu dhe besoj që nuk ka përfaqësuar asnjë shqiptar. Ai fjalim ka përdorur, ka keqpërdorur Shqipërinë për hallet dhe interesat personale të Edi Ramës jashtë dhe brenda, më shumë brenda se jashtë. Por ne si popull nuk kemi qenë kurrë në nivele të tilla siç na përfaqësoi kryeministri atje. Le ta kujtojmë, meqenëse ai e përmendi atje në fjalimin e vet në parlamentin e Izraelit, historinë me hebrenjtë. Kur Evropa u përkul përballë nazizmit dhe kur hebrenjtë kërkoheshin për t'u dorëzuar, shqiptarët nuk u përkulën. Edhe pse ishim të pushtuar, edhe pse ishim të varfër, edhe pse ishim të dobët, edhe pse rrezikonim jetën, ne i mbrojtëm hebrenjtë aq sa patëm mundësi.

Nuk pyetëm kush është i fortë për të lobuar, po pyetëm kush ka të drejtë dhe kush është viktimë. Prandaj le t'i themi edhe këtyre këtej, po edhe ca dhe këtej: Jo në emrin tim! Edhe kur Kosova digjej në zjarrin e shovinizmit serb, për të ardhur pak më afër në memorien tonë historike, dhe kur shqiptarët atje iknin spastrimit etnik, sërish ne si popull dhe përfaqësuesit tanë nuk bënë llogari diplomatike, por hapën së pari dyert për të furnizuar me armë dhe për të dhënë përvojë luftarake Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas hapëm zemrat dhe shtëpitë për vëllezërit dhe motrat tona.

Këto dy momente, po dhe shumë të tjera, tregojnë qartë që ne si popull kemi qenë gjithmonë në krah të viktimës, jo me agresorin. Jo sepse është e lehtë, jo sepse është e leverdisshme, por sepse është e drejtë. Dhe sot kur Gaza është rrënojë dhe palestinezët vijojnë të vriten, sot e kësaj dite, tani në këtë moment që flas, edhe pse thuhet se është një armëpushim atje, historia nuk na lejon që të heshtim. Nuk na lejon historia që të përkulemi përballë një servilizmi të tillë të poshtër dy metra të gjatë. Ky tubim, që të mos ju marrë shumë kohë, ky tubim është për Palestinën dhe për Gazën patjetër, për Palestinën dhe për palestinezët që ende po i pengojnë që të marrin në dorë fatin politik të vendit të tyre.