Beshiktashi publikon fotot e Kristjan Asllanit, zbarkon në Stamboll për vizitat mjekësore

Kristjan Asllani është një hap larg aventurës së re në Turqi. Mesfushori i Kombëtares kuqezi ka mbërritur sot në Stamboll, ku pritet të finalizojë transferimin e tij te Beshiktashi.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi turk, i cili ka publikuar në profilin zyrtar fotografi të Asllanit pas mbërritjes në Turqi.

Në njoftimin e bërë publik, Beshiktash bën me dije se lojtari shqiptar do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore, hapi i fundit përpara zyrtarizimit të marrëveshjes.

Ky transferim pritet të shënojë një kapitull të ri në karrierën e 23-vjeçarit, i cili vjen pas eksperiencës së tij në Serie A.

Asllani shihet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën e gjigantëve turq, ndërsa te Beshiktashi pritet t’i besohet një rol kyç në ndërtimin e lojës.

Në orët në vijim pritet edhe prezantimi zyrtar, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe vizitat mjekësore rezultojnë pozitive.