Maratonë historike në Melburn, Alcaraz mposht Zverev pas 5 orësh dhe shkon në finalen e ‘Australian Open’
Carlos Alcaraz ka shkruar historinë në “Australian Open 2026”, duke u kualifikuar në finalen e turneut pas një ndeshjeje epike ndaj Alexander Zverev, e cila zgjati plot 5 orë e 27 minuta dhe hyri menjëherë në analet e Grand Slam-it australian.
Tenisti spanjoll nga Mursia triumfoi në pesë sete dramatike (6-4, 7-6, 6-7, 6-7, 7-5), në një duel që ngjante më shumë me një betejë fizike dhe mendore sesa me një takim të zakonshëm tenisi.
Të dy lojtarët dhanë gjithçka në fushë, por në fund ishte Alcaraz ai që tregoi më shumë qetësi dhe forcë në momentet vendimtare.
Seti i pestë ishte kulmi i emocioneve, me shkëmbime të gjata, lodhje ekstreme dhe tension maksimal, deri në momentin kur Alcaraz arriti të thyejë shërbimin e Zverev dhe të mbyllë ndeshjen mes duartrokitjeve frenetike të publikut në “Rod Laver Arena”.
Me këtë fitore, Alcaraz siguron finalen e parë në Melburn dhe është vetëm një hap larg historisë personale.
Në rast triumfi në finale, 22-vjeçari do të kompletonte koleksionin e titujve Grand Slam, pasi Australian Open është i vetmi trofe madhor që i mungon në karrierë.
Finalja pritet me interes të jashtëzakonshëm, ndërsa Alcaraz konfirmon edhe një herë se është protagonisti kryesor i brezit të ri të tenisit botëror.