Mirlinda e AKSHI-t, shkrin hasmërinë me Gerond Meçen. Po e qeras me tendera me ofertë nën kosto

Nga Elton Qyno – Syri.net/

Pas një periudhë hasmërie me drejtuesit e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI), i “penduari” i SPAK, biznesmeni Genrond Meçe, është rikthyer fuqishëm në përfitimin e tenderave nga kjo agjenci.

Përmes kompanisë së tij "Advanced Business Solutions – ABS”, Gerond Meçe, ka hyrë sërish në lojën e tenderave, duke u futur me oferta ekonomike nën kosto, mjafton të jetë kompania aktive.

Kjo pasi, pas periudhës së pengmarrjes në Tiranë dhe degjenerimit në fshatin Gracen të Elbasanit, kompania e tij doli thuajse inegzistente në tregon e tenderave që organizoheshin nga AKSHI.

Tashmë me sa duket AKSHI ka zgjedhur të mbajë afër Gerond Meçen, duke përdorur formulën e “Shkopit” dhe “Karotës”, duke e shpërblyer Meçen me disa tendera, edhe pse ofertat e tij ekonomike janë nën kosto.

Aktualisht Meçe, është dëshmitari kryesor në dosjen penale të SPAK, ku nën hetim janë marrë, Mirlinda Karçanaj, biznesmenët Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe persona të tjerë.

Sot “ABS” e Gerond Meçes, nuk është përballë një debati mbi konkurrencën, por përballë një problemi serioz të integritetit financiar dhe moral të tregut.

Kjo pasi për më shumë se 7 vite, një pjesë e tregut të prokurimeve publike në teknologji është shfrytëzuar nga Gerond Meçe, që ka faturuar institucione shtetërore me çmime disa fish mbi vlerën reale të shërbimit dhe pajisjeve. Dhe kjo gjë është bërë në syrin e të gjithëve dhe në kurriz të taksapaguesve.

Sot, i njëjti subjekt “ABS”, i cili sipas informacioneve ndodhet nën hetim dhe është përjashtuar nga procedurat pranë AKSHI-t, shfaqet papritur në treg me oferta pothuajse në kosto, madje me marzhe simbolike prej 1 për qind.

Këto veprime janë në kundërshtim me atë çfarë thotë prokuroria e posaçme SPAK, në kërkesën për caktim të masave të sigurisë, ku evidenton se Gerond Meçe, u mor peng nga çunat e grupit të Ergys Agasit, me qëllimin e vetëm që ai të tërhiqej nga ankesat që kishte bërë kompania e tij, për tenderat e AKSHI-t.

Ndërsa tashmë tregohet e kundërta, pasi Gerond Meçe, ka hyrë fort në këto tendera, ku disa prej tyre i ka fituar dhe me oferta nën kosto ekonomike.

Tenderi i fundit që Meçe, ka fituar tek AKSHI është ai “Mirëmbajtjes së sistemit elektronik të menaxhimit të vizitave dhe hyrje-daljeve në IEVP”.

Në këtë tender morën pjesë 5 kompani, “Albascan”, “R&T”, “Comunication Progres”, ”Naol” dhe “ABS” e Gerond Meçes.