'Në rrugë pas aksionit të IKMT-së', banori i Durrësit: Shteti po luan lojëra për interes të privatit në kurriz të fukarenjve
Endri Kovaçi, banor që i është prishur shtëpia, pranë 'Urës së Dajlanit 'në Durrës, në një lidhje Skype për emisionin “Kafe Shqeto”, ka treguar se shembja e banesave pranë 'Urës së Dajlanit' nuk ka të bëjë me nevojën për pastrimin apo rehabilitimin e kanalit kullues, por lidhet me interesa për përvetësimin e tokës shtetërore
Ai tha se familjet nuk janë kundër zhvillimit të zonës apo rregullimit të territorit, por nuk mund të mbeten në rrugë pa një vend të siguruar për të jetuar.
Banori theksoi se shumë prej familjeve kanë jetuar aty dekada, disa prej tyre kanë aplikuar për legalizimin e shtëpive, dhe veprimet e autoriteteve janë kryer pa respektuar afatet ligjore dhe pa siguruar zgjidhje alternative strehimi.
“Duam drejtësi dhe transparencë, strehim të siguruar nga shteti, jo zhvendosje të padrejtë dhe veprime pa paralajmërim,” tha Kovaçi, duke shtuar se familjet mbeten të pasigurta dhe të shqetësuara për të ardhmen.
Deklarata e plotë:
"Shkaktari kryesor është karburanti. Shife ti, kontrolloni me fakte. Ky kanal ka qenë i pastruar prej vitesh, që kur e ka bërë Enver Hoxha, në atë krah andej. Shife vendin. Këtej nuk ka qenë i pastruar. Pse u ndryshua ky plan?
Edhe në qoftë se këtu do bëhet rrugë, edhe në qoftë se shteti do bëjë diçka, unë nuk jam pishman, shtëpinë nuk e dua. Ama këtu po bëhet diçka tjetër për ta, për ta vjedhur këtë vend, sepse është tokë shteti. Është në hartë, ata i dinë hartat. Këtu nuk është tokë private, është tokë e hekurudhës.
Këtu luajnë shumë role për interesat e tyre dhe e hëngrëm ne fukarenjtë. Pse ne? Pse karburanti nuk u ça atje? Ne e çajmë me lopata, vëmë tubat vetë. Jo ata që kanë mjete. Po të na lënë sot, i vëmë tubat e reja me lopatë dhe uji kullon rehat. Shkaktari i mbytjes së plazhit është karburanti.
Ne nuk kemi ku të ikim. Na prishën shtëpinë, nuk kam problem, unë aty kam për të fjetur. Më ka mbuluar, më kanë rënë telat, do bëj një plasmas dhe aty do fle. S’ikim pa na dhënë dëmshpërblim shteti.
Shteti ka banesa sociale. Ne nuk jemi kundër. Edhe me qira, po të jenë të shtetit. Se te privati shkoj, marr një dhomë e një banjo. Ku do rri unë me familjen? Të nxjerrin, plaçkat dhe të thonë ik.
Mbrëmë kam fjetur këtu. Kam një makinë, fle edhe në makinë. Nuk kam më ku të shkoj. Nuk jemi kundër rregullimit të territorit, as kundër zbukurimit të qytetit, por të paktën shteti të na sigurojë një vend, të na japë banesa sociale kundrejt qirasë.
Te privati të nxjerrin për një gërvishtje, sepse gjejnë dikë që paguan më shumë. Te shteti të paktën jemi në shtet. Nuk i duam shtëpitë për t’i shitur apo blerë, vetëm për të jetuar. Të paguajmë një qira sa të thotë shteti.
Unë kam qenë në rregull me ujë, me drita, me taksë gjelbërimi. I kam paguar të gjitha. I kam kërkuar kryetarit të bashkisë, por më tha ‘nuk kam ç’bëj’. Po plehrat ku t’i çoj? Në Tiranë? Nuk na i kanë marrë kurrë. Ndërsa unë i kam paguar. Le të dalë shteti dhe të thotë që i kam një lekë borxh, nuk i kam asgjë.