Skemë si në filma në Tokio: Grabiten valixhe me mbi 2 milionë euro në zemër të qytetit! Dy sulme brenda natës
Tre persona vodhën valixhe që përmbanin më shumë se 2 milionë euro në para të gatshme në një rrugë të ngarkuar pranë Stacionit Ueno në qendër të Tokios, në një incident të rrallë për kryeqytetin japonez, i njohur për nivelin e lartë të sigurisë.
Sipas policisë dhe mediave lokale, grabitja ndodhi rreth orës 21:30 të së enjtes. Sulmuesit përdorën gaz lotsjellës për të neutralizuar viktimat dhe për të marrë valixhet që përmbanin rreth 2.3 milionë euro (420 milionë jen). Një zëdhënës i policisë së Tokios konfirmoi ngjarjen për AFP, duke folur në kushte anonimiteti, por refuzoi të japë detaje të tjera mbi hetimet në zhvillim.
Mediat japoneze raportuan se viktimat ishin pesë shtetas kinezë dhe japonezë, të cilët po përpiqeshin të ngarkonin valixhet në një automjet kur u sulmuan. Sipas rrjetit televiziv Fuji TV, ata u thanë autoriteteve se shuma e parave ishte e destinuar për zyra këmbimi valutor.
Në një tjetër incident të veçantë, por potencialisht të lidhur, një burrë që mbante rreth një milion euro (190 milionë jen) në para të gatshme u sulmua po me gaz lotsjellës nga tre persona në një parking të aeroportit Tokio-Haneda. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së njëjtës ditë.
Policia po heton mundësinë e një lidhjeje mes dy sulmeve, ndërsa rrjeti TBS raportoi se autoritetet po shqyrtojnë nëse bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal. Hetimet vijojnë.