Daily Mail: Ja taktikat sekrete që përdor grupi i Sorosit për të krijuar anarki në SHBA
Nga Dana Kennedy, DAILY MAIL
Protestat në dukje spontane kundër agjentëve të ICE (Agjencisë së Doganave dhe Emigracionit) në Minesota, pas vrasjeve të Renee Good dhe Alex Pretti, në fakt janë të mirëfinancuara dhe të organizuara, zbulon Daily Mail.
Pas megafonëve dhe bllokadave fshihet një rrjet i sofistikuar grupesh kombëtare avokatie, organizatash sindikale dhe fondacionesh me xhepa të thellë, që po derdhin shuma të mëdha parash në atë që shumë aktivistë të majtë e paraqesin si një kryqëzatë për të ndihmuar emigrantët e shënjestruar padrejtësisht – dhe për të marrë hak për atë që ata e shohin si martirizimin e dy 37-vjeçarëve.
Të mbushura me miliona dollarë nga fondacione jofitimprurëse dhe të mbështetura nga sindikata dhe organizatorë kombëtarë me përvojë, protestat gjithnjë e më agresive kundër ICE në Minesota janë larg së qenit lëvizje nga baza.
“Kaosi në Minneapolis është larg të qenit organik,” tha Seamus Bruner, zëvendëspresident i institutit konservator ‘Government Accountability Institute’.
“Ajo që po shohim është ajo që unë e quaj ‘Organizata e Trazirave’.”
Dhe për momentin, aktivistët duket se po fitojnë.
Komandanti i Patrullës Kufitare të SHBA-së, Gregory Bovino, është kthyer në Kaliforni dhe pritet të dalë në pension, ndërsa presidenti Trump ka dërguar në shtetin e trazuar “Car-in e Kufirit”, Tom Homan, duke anashkaluar shefen e diskutueshme të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.
Trump ka thënë se “nuk pëlqen asnjë lloj krisme me armë” dhe ka sugjeruar se agjentët federalë mund të fillojnë së shpejti të zvogëlojnë praninë e tyre në Qytetet Binjake.
Vrasja fatale e Good-it, një nënë e tre fëmijëve, më 7 janar ndezi tensionet që tashmë kishin nisur.
Dhe vdekja e Pretti-t, një infermier i urgjencës, më 24 janar, mund të pengojë më tej përpjekjet për arrestime dhe deportime të ICE dhe Patrullës Kufitare në Minneapolis.
Por nëse ICE largohet nga Minesota me turp, nuk do të jetë thjesht sepse agjentët federalë ishin tepër të “gatshëm për të qëlluar”, sipas disa vëzhguesve – do të jetë rezultati i një strategjie të mirë-ekzekutuar për t’i ngacmuar, provokuar dhe intimiduar ata.
“Amerikanët normalë që shikojnë nga larg mund të pyesin me të drejtë: si ndodh kjo, dhe si shfaqen papritur turma të mëdha, të koordinuara, në temperatura nën zero?” tha Bruner.
“Përgjigjja është e thjeshtë: ata janë dislokuar. Siç i thashë Presidentit Trump në tavolinën e rrumbullakët në Shtëpinë e Bardhë për Antifa-n, këto protesta nuk mblidhen vetë kështu që ne duhet të ndjekim paratë. Shenjat, sloganet, logjistika, madje edhe grupet me daulle janë planifikuar paraprakisht dhe furnizuar profesionalisht”.
Rreth 20 deri në 30 grupe aktivistësh dhe partnerë koalicioni janë të përfshirë rregullisht në veprimet anti-ICE në Qytetet Binjake, së bashku me shumë rrjete joformale nga baza dhe ekipe reagimi të shpejtë që marrin pjesë pa emra organizatash publike.
Avokati i Minneapolis-it Nathan Hansen, thotë se protestat anti-ICE nuk janë të befasishme.
“Minesota është si një terren testimi për revolucione të brendshme,” tha Hansen.
“Njerëzit pas kësaj nuk duan asgjë më pak se përmbysjen e qeverisë”.
Gazetarë investigativë si Cam Higby dhe Andy Ngo kanë depërtuar në biseda anti-ICE në aplikacionin e enkriptuar Signal, duke zbuluar manuale trajnimi komplekse dhe klasa, si dhe protokolle të detajuara për gjurmimin, pengimin dhe bllokimin e agjentëve federalë në Qytetet Binjake.
Metodat përfshijnë patrullime me automjete, në këmbë dhe statike, kontrollues targash dhe udhëzime se si të ruhet anonimiteti, përfshirë një urdhër për të fshirë të gjitha bisedat në Signal në fund të çdo dite.
“Forca kuazi-policore përdor një sistem të quajtur ‘SALUTE’, i cili raporton madhësinë e njësive federale, aktivitetin, vendndodhjet, uniformat dhe oraret,” raporton Higby. “Më pas ata udhëzojnë ndjekësit e ICE që t’i gjurmojnë dhe të përplasen me agjentët në vendndodhjet e tyre. Operacionet e ‘ndjekësve të ICE’ zgjasin gjithë natën. Thirrja për dislokim është 24/7. Këto janë mesazhe të fotografuara në orën 2 të mëngjesit që kërkojnë vëzhgues në një vend me emigrantë të mundshëm pa dokumente”.
Ngo tha se vëzhgoi një atmosferë “mosbesimi dhe paranoje” në bisedat në Signal, ku drejtuesit siguroheshin që të gjithë të përdornin pseudonime.
“Të djathtët po përpiqen të futen në shumë biseda tani,” paralajmëroi një administrator me pseudonimin “Moss”, ndërsa Ngo ishte në bisedë.
“Mos vendosni kurrë në Signal diçka që nuk do të donit të lexohej më pas në gjykatë. Asnjë grup në Signal nuk mund t’ju mbrojë plotësisht nga sytë armiqësorë”.
Shumë nga drejtuesit e lëvizjes në vazhdim nuk janë të lehtë për t’u identifikuar, megjithëse ka disa që nuk përpiqen ta shmangin vëmendjen publike.
Shumë prej tyre janë udhëheqës fetarë dhe figura të lidhura me rrjetin ‘Black Lives Matter’.
Nekima Levy Armstrong, një avokate për të drejtat civile në Minneapolis dhe ish-presidente e degës së NAACP në Minneapolis, ka luajtur një rol kyç në veprimet e fundit kundër ICE – përfshirë protestën e diskutueshme në një kishë javën e kaluar.
Armstrong, 49 vjeç, tha se e udhëhoqi protestën pasi mësoi se David Easterwood, drejtor terreni i ICE në St. Paul, ishte pjesë e ekipit të shërbesës së kishës.
Ajo u arrestua së bashku me Chauntyll Louisa Allen dhe William Kelly, i njohur si “Woke Farmer”.
Një tjetër drejtues lokal më i spikatur është Kyle Wagner, një anëtar i vetëidentifikuar i Antifa-s dhe rekrutues i Antifa-s në Minneapolis, i cili kishte rreth 40 mijë ndjekës në Instagram deri sa llogaria e tij u fshi të dielën.
Wagner, i cili përdor emrin KAOS, e quan veten një “master hate baiter” dhe herë pas here shfaqet i veshur me rroba të gjinisë tjetër në videot e tij; ai u bën rregullisht thirrje ndjekësve të tij të protestojnë kundër ICE-it dhe e rriti ndjeshëm intensitetin këtë fundjavë.
“Përshëndetje, emri im është Kyle, jam Antifa, dhe kam aq shumë zemërim brenda meje sa që më është dashur ta regjistroj këtë video rreth 15 herë për të nxjerrë mesazhin,” tha ai në një video tashmë të fshirë, të realizuar ditën e vrasjes së Pretti-t.
“Është koha të vishemi për betejë, çizmet në terren,” shtoi ai. “Jo, nuk po flasim më për protesta paqësore.
Nuk po flasim më për biseda të sjellshme… Kjo nuk është një shaka e dreqit. Nuk ka asgjë argëtuese për të brohoritur. Merrni armët tuaja të dreqit dhe ndaloni këta njerëz të dreqit.”
Një aktivist anti-ICE që përdor pseudonimin Vitalist International shkroi së fundmi në X se “Minneapolis mund të jetë Falluxha jonë”, duke iu referuar betejës më të përgjakshme të Luftës së Irakut.
“Të shkosh në Minneapolis për t’u përleshur fizikisht me ICE-in është plotësisht e arsyeshme nga pikëpamja strategjike, pasi t’i mbash të bllokuar në një qytet me rezistencë popullore dhe të mirëorganizuar është më mirë sesa loja ‘godit-mole’ që kemi luajtur gjatë vitit të kaluar.”
Indivisible Twin Cities, që e quan veten një “grup vullnetarësh nga baza”, është një nga shtyllat kryesore të rezistencës së organizuar në Minesota.
Por fuqia e saj e vërtetë vjen nga Uashingtoni, ku organizata mëmë, Indivisible Project, përfiton grante me vlera milionëshe – një pjesë e madhe prej tyre nga Open Society Foundations e George Soros – shpesh të kanalizuara përmes ndërmjetësve si Tides Foundation.
Kate Havelin nga Indivisible Twin Cities i tha Daily Mail se organizata lokale nuk merr fonde nga selia kombëtare; megjithatë, faqja zyrtare e organizatës kombëtare thotë qartë se ajo ndan me degët lokale burime për të cilat paguan vetë.
“Përpjekjet tona janë pikërisht ashtu siç duken – njerëz lokalë që organizohen në komunitetet e tyre,” tha Havelin. “Ne nuk po marrim financime nga ndonjë operacion ‘Indivisible Cities’ në Uashington dhe puna jonë nuk mbahet nga dollarë kombëtarë.”
Projekti kombëtar Indivisible Project, i cili ofron mjete organizimi dhe strategji, ka marrë miliona dollarë financime nga fondacione të ndryshme, përfshirë rrjetin e granteve të Soros-it. Të dhënat publike tregojnë se ai ka marrë 7,850,000 dollarë nga Open Society Foundations e Soros-it midis viteve 2018 dhe 2023.
“ICE Out of MN” është një tjetër “brand” i madh protestash, që organizon informime online dhe shpërndan manuale aktivistësh.
Por, si shumë organizata të njohura aktiviste, ajo është një projekt koalicioni nën ombrellën e organizatave ekzistuese përmes asaj që quhet “sponsorizim fiskal” – një strukturë që u lejon fushatave të mbledhin dhe shpenzojnë para pa zbuluar se kush po i shkruan çekët.
Federata Rajonale e Sindikatave të Minneapolis-it është identifikuar si një përfitues kyç i fondeve për veprimet e “reagimit të shpejtë”.
Përpjekjet për të kontaktuar “ICE Out of MN” nuk patën sukses.
Platformat e crowdfunding-ut si Chuffed plotësojnë financimet e mëdha, duke mbledhur donacione të vogla për “mbrojtje ligjore” dhe “organizim në vijën e parë”, pothuajse gjithmonë duke listuar një organizatë jofitimprurëse ose sindikale si përfituese.
Chuffed nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
“Është një lojë guaskash: paratë hyjnë lart, kalojnë përmes ndërmjetësve dhe dalin në nivel rruge duke u dukur si organizim komunitar,” tha një aktiviste konservatore që nuk deshi të përmendej me emër sepse tashmë i janë publikuar të dhënat personale.
“Është një model biznesi që fsheh se kush po i tërheq vërtet fijet.”